Nga: Ornela Manjani
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i ka sjellë një tjetër faturë të majme shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për tri vendime në favor të pronarëve, të cilëve nuk u është kthyer prona. Vlera e faturës është 12 milionë euro, ku përfshihet kompensimi për tokën truall në bazë të hartës së vlerës, dëmshpërblimi për pemët e mbjella, madje edhe pagesa e faturave të shpenzimeve gjyqësore. Ndërkohë tri javë më parë Strasburgu dha një vendim me faturë 10 mln euro në favor të pronarëve.


Vendimet
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në faqen zyrtare të saj publikoi dje 3 vendime, për të cilat pronarët që kanë kërkuar të drejtën e pronësisë që nga viti 1995 do të ndajnë në total 12 milionë euro. Bëhet fjalë për pretendimet e ngritura në çështjet “Aliçka kundër Shqipërisë”, “Karagjozi kundër Shqipërisë” dhe “Halimi kundër Shqipërisë”. Në rastin “Karagjozi” dhe të tjerët “kundër Shqipërisë”, fatura është rreth 6 milionë euro ku përfshihet dëmi pasuror dhe jopasuror si dhe 850 euro, plus çdo taksë që mund të jetë e tatueshme në lidhje me kostot dhe shpenzimet Në rastin “Aliçka” dhe të tjerë “kundër Shqipërisë” fatura i kalon 4 milionë euro. Ndërsa në rastin “Halimi kundër Shqipërisë” fatura është rreth 800 mijë euro.


Shumën më të madhe, qeveria shqiptare do ta paguajë për 21 ankimues të çështjes “Karagjozi”, të cilët në 28 korrik të vitit 2006 kanë depozituar ankesën për një sipërfaqe prej 640 mijë m² në zonën e Vlorës. Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, e cila qëndronte prej 10 vitesh atje, ka dhënë vendimin final që këtyre individëve të familjeve Karagjozi, Kokona, Halimi etj. t’u paguhet brenda 3 muajve shuma 5 milionë e 919 mijë euro. Për të gjitha rastet, pagesa duhet të kryhet brenda tre muajve nga marrja e vendimit, në rast të kundër nis aplikimi i kamatëvonesave.


Vendimi i gjykatës
Duke iu referuar konstatimeve të mëparshme për paditë në lidhje me çështjen e pronave kundër Shqipërisë, për të cilat qeveria shqiptare nuk ka dhënë argumente për zgjidhjen, gjykata konstaton se autoritetet vendëse kanë dështuar për një kohë të gjatë për të zbatuar vendimet e brendshme përfundimtare, sidomos për kompensimin, duke shkelur në këtë mënyrë të drejtat e ankuesve, bazuar në nenin 6 pika i dhe në bazë të nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës. Lidhur me shkeljen e pretenduar për nenin 6.1 të Konventës, që citon kohëzgjatjen e procedurave, për të cilët aplikantët kanë bërë ankesë, gjykata e cilëson si të drejtë të zbatueshme, duke mos e shqyrtuar atë më vete, por në tërësi. Aplikantët pretendojnë se ka pasur një shkelje të nenit 6.1 dhe 13 të Komisionit Evropian të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), si edhe të nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës, për mosekzekutim të vendimit të formës së prerë të gjykatave kombëtare, të cilat u japin atyre kompensim të pronave.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: