Vite pas nënshkrimit të partneritetit publik privat, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të rishikojë koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale. ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ ka siguruar urdhrin e lëshuar nga kjo Ministri për ngritjen e grupit të punës për rishikimin e aneksit 4 që ka të bëjë me setet kirurgjikale dhe kostot e tyre.

Burime për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ thonë se shkak është bërë kostoja shumë e lartë e sterilizimit në vitin e fundit faturë që ka kapërcyer dukshëm projeksionet e qeverisë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Po çfarë shkruhet në aneksin katër të kontratës së sterilizimit të instrumentarit kirurgjikal, dhe pse qeveria ka vendosur të ndryshojë termat koncesionare të sanksionuara në këtë aneks?

Në kontratën e lidhur në dhjetor të vitit 2015 mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë fituese, konsorciumit ‘Sani Service’ përcaktohen qartë vlerat financiare për çdo set kirurgjikal.

Kështu seti me mjetet e nevojshme për operacione të ndërlikuara, i kushton buxhetit të shtetit 37.700 lekë. Setet e mjeteve për operacionet mesatarisht të ndërlikuara kushton 22.300 lekë dhe ato për operacionet periferike kushtojnë 13.900 lekë.

Vlerat monetare kanë dalë pas studimit të fizibilitetit i kryer nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2013 që doli në përfundimin se e gjithë fatura financiare e koncesionit të sterilizimit nuk e kalon shifrën e 9.6 miliardë lekëve për 10 vitet e ardhshme.

Por parashikimet e qeverisë duket se kanë çeduar që në vitin e tretë për shkak të rritjes së ndjeshme të faturës së sterilizimit për vitin e fundit, e cila nuk është bërë publike porse përflitet gjerësisht nga kirurgët se është shumë më e lartë se parashikimi.

Kjo vërtetohet edhe nga fakti se përse Ministria me shumë urgjencë ka ngritur një grup pune që në datë 25 shkurt 2019 me mjekë specialist nga tre spitale terciare të vendit të cilit i kërkon pikërisht rishikim të seteve kirurgjikale me synimin për të ulur numrin e mjeteve kirurgjikale në çdo set dhe në këtë mënyrë edhe kostot financiare. Pra me fjalë të thjeshta kërkohet ulja e çmimit të setit duke pakësuar numrin e instrumenteve të sterilizuar dhe mundësia e krijimit të seteve të reja kirurgjikale me më pak instrumente.

Disa burime i thanë ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se problemi nis që në gjenezë, gjatë studimit të fizibilitetit kur dhe janë bërë përllogaritjet gabim të termave koncensionare. Sipas tyre, në shumë operacione një pjesë e mjeteve nuk gjejnë përdorim duke shkaktuar një kosto të pajustifikuar, ose thënë troc pagesa të kota koncensionarit.

Vetë mjekët thonë jashtë kameras se në operacione të caktuara kërkohet hapja e dy ose më shumë seteve kirurgjikale për të njëjtin grup instrumentash kirurgjik që do duhet të ishin brenda një seti të vetëm, bazuar në tipologjinë e operacionit dhe shkallën e kompleksitetit të tij.

Ose për një plagë të vogël mjekut i duhet të hapë një set me 20 instrumenta edhe pse për ndërhyrje periferike i nevojitet 3 apo 4 të tillë. Përveç seteve sterile kirurgjikale, kontrata koncesionare parashikon që kompania të ofrojë edhe materiale mjekësore një përdorimësh apo dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Por vlera e përfituar nga këto shërbime mbetet ende e panjohur, sikundër edhe fatura totale që I është paguar deri më tani koncesionarit.

Kontrata e koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale nuk ka një çmim tavan kjo pasi marrëveshja PPP e projektuar dhe firmosur nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj përcakton financim të koncesionarit bazuar në numrin e seteve që kërkohen në sallat kirurgjikale në 5 spitalet e Tiranës dhe spitalet rajonale. Pra sa më shumë sete kirurgjikale përdoren aq më tepër rritet fatura.

Kompania koncesionare ‘Sani Service’ përbëhet nga bashkimi i kompanive Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed. Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital Llc – një kompani e vogël me kapital 1 mijë euro e regjistruar në Kosovë nga Ilir Rrapaj.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013. Ndërkohë, paketa e mbetur e aksioneve të koncesionit ndahet në 15 për qind për Servizi Italia, 15 për qind për Tecnosanimed dhe 15 për qind për U.Jet S.r.l.

Koncesioni është lidhur për një afat 10-vjeçar me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh e cila që në vitin e tretë ka kaluar çdo parashikim të mundshëm të qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb