TIRANË – 33 kryebashkiakëve e kryekomunarëve të vendit po u bien zilet e alarmit, këtë radhë jo nga votuesit, as nga qeveria, por nga OSHEE. Pasi janë kontrolluar pagesat e energjisë për 385 drejtues të njesive vendore në mbarë vendin, ka rezultuar se 122 prej tyre janë debitorë. Pas njoftimit, një pjesë e mirë e tyre paguan me shpejtësi, por mbetën edhe 33 drejtues, që ende s’e kanë future dorën në xhep.

OSHEE njoftoi sot se 122 drejtuesit vendorë debitorë zotëronin 166 kontrata në total, ç’ka do të thotë se disa prej tyre kanë më shumë se sa një kontratë debitore me kompaninë. Në kuadër të këtij procesi verifikimi, Operatori njoftoi se që prej ditës së shtunë është ndërprerë energjia për 83 kontrata debitore, prej të cilave është rilidhur më pas në 42 raste, pasi u likujdua debia në arkat e kompanisë.

Sipas të dhënave të deri mbrëmjes së të dielës, për 41 kontrata që u përkasin 33 drejtuesve vendorë, energjia vazhdon të jetë e shkëputur deri në shlyerjen e detyrimeve të mbartura ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

Gjatë ditës së dielë, në arkat e OSHEE-së janë arkëtuar 10 milionë lekë të reja detyrime të mbartura nga kontratat individuale të drejtuesve të njësive vendore. Siç është paralajmëruar dhe publikisht, për rastet që nuk do të shlyejnë detyrimet apo nuk do të lidhin aktmarrëveshje, OSHEE-ja do t’i drejtohet Këshillit të Ministrave për marrjen e masave të mëtejshme deri në shkarkimin e këtyre drejtuesve të njësive vendore.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb