Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Suva të rëna, dyer plot rrjeta merimangash, dhoma bosh. Kjo është sot Shtëpia e Gjetheve në gjendje degradimi, banesa prej ku në komunizëm përgjoheshin shqiptarë e të huaj. “GSH” ka mundur të sigurojë disa foto nga brendia e saj, ndonëse dje nuk u lanë të futeshin aty as ambasadorët. Ajo që vihet re është një godinë pothuaj e shkatërruar, që kushedi për ç’arsye, në të s’ka asnjë ‘orendi’ nga ato me të cilat përgjonte e punonte ajo.



Megjithatë, kthimi i Shtëpisë së Gjetheve në Muze të Përgjimit kap shifrën financiare të 1 milion eurove. Kuratorë të muzeut do jenë Bashkim Shehu dhe Elisabet Terragni.
Në dokumentin “Parashikim paraprak për financim” të Ministrisë së Kulturës që “GSH” po publikon sot, shifra e dhënë është 970 mijë euro. Dhe kjo, pa kostot operative.
Nga kjo shumë, qeveria, pra ministria jep 300 mijë euro, 520 mijë euro janë “donacione private” dhe 150 mijë euro “bashkëpunim ndërkombëtar”. Se kush janë donatorët që do të bëjnë 520 mijë euro “bamirësi” dhe çfarë do marrin në shkëmbim, kjo mbetet e fshehtë. Po kështu, zëri “bashkëpunim ndërkombëtar” mbetet i paqartë. Mister mbeten edhe kompanitë që do ta përfitojnë këtë shumë dhe do të merren me ngritjen e Muzeut të Përgjimit.
“GSH” pyeti dje Këshilltaren e Ministres së Kulturës për Mediat, Milena Selimi, se kush janë donatorët dhe cila kompani do merret me punimet. Përgjigjja e saj ishte: “Nuk ka asnjë ende, është vetëm fillimi”. Të jetë bërë gjithë kjo punë pa pasur asnjë siguri për financimin?!
Si ndahen paratë
Sipas parashikimit të MK-së, 1 milion eurot do të ndahen në disa zëra të nevojshëm për transformimin e godinës në muze. Vetëm për rindërtimin (?) e godinës janë paramenduar 300 mijë euro. Kjo shifër mbulohet nga Qeveria shqiptare, ndërsa ndriçimi, sistemet e ajrimit dhe kondicionimi do të kushtojnë 150 mijë euro e do jetë dhuratë dashamirëse e donatorëve privatë.
Ndërkaq, 120 mijë euro të tjera, po nga donatorë privatë, do të shkojnë për pajisje dixhitale, siç janë sistemi elektronik i biletarisë, ekrane ‘touch screen’ dhe guidë audio me kufje.
Një shifër tjetër prej 250 mijë eurosh, e siguruar sërish nga donatorët e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkojnë për zërin ‘muzealizim’. E ndarë në zëra më të vegjël: për grafikën e muzeut shkojnë 80 mijë euro, për pajisje teknike 60 mijë euro, për objekte origjinale 30 mijë euro, për eksponate 70 mijë euro, ndërsa është ndarë një fond prej 10 mijë eurosh si rezervë në rast nevojash të paparashikuara.
Po me bashkëpunim ndërkombëtar do të bëhet edhe marketingu, për të cilin janë veçuar 50 mijë euro, e te kjo fushë do ketë broshura, uebsajt, fletëpalosje, guida dhe suvenire.
Ndërkaq, një shifër prej 100 mijë eurosh është ndarë për ekspertizë, trajnim dhe përgatitje biznes plani. Shuma është sërish bashkëpunim ndërkombëtar.
Në fund shënohet se, ndonjë kosto operative që do dalë, do të mbulohet nga Qeveria shqiptare, pra nga Ministria e Kulturës, dhe për këtë arsye shënohet TBC (To be Confirmed) – mbetet për t’u konfirmuar.
Ajo që nuk kuptohet është: pse objektet origjinale shkojnë 30 mijë euro dhe eksponatet 70 mijë? A nuk ka godina sendet e përdorura në të, aq më tepër kur këmbëngulet për autenticitet? Dhe nëse jo, pse nuk i ka? Pse dhomat e saj ishin bosh, e pse në to gjendeshin maksimumi tavolina të drunjta, karrige të thyera e aparate telefonash fiks?


(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)