Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2024 me destinacion mbështetjen nga shteti për kontratat koncesionare/PPP, sipas planit të 2024 me ndryshime janë në total rreth 14.15 miliardë lekë. Nga këto, rreth 5.89 miliardë lekë janë investime dhe rreth 8.26 miliardë lekë shpenzime korente.

Ministria e financave në një analizë që i bëri zbatimit të buxhetit 2024 vlerësoi se krahasuar me pagesat faktike vjetore 2023, të cilat arritën vlerën rreth 12.66 miliardë lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2024 janë rreth 1.49 miliardë lekë më të larta ose rreth 11.8% më shumë, konkretisht si rrjedhojë e planit më të lartë të pagesave 2024 për kontratat ‘mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit’ dhe ‘mirëmbajta e rrugës porti i jahteve – bypass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)’, si dhe e planit më të lartë të pagesave për vitin 2024 për kontratën “ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”.

Inceneratori i Tiranës, nën hetim dhe sekuestro nga SPAK, do të financohet këtë vit nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë ose 20% më shumë (12 mln euro) se në vitin 2023.

Ministria e Financave raportoi se në 5 mujorin 2024, pagesat faktike për kontratat koncensionare rezultojnë në masën rreth 4.65 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2023, ato rezultojnë rreth 705.8 milionë lekë më të larta ose 18% më shumë.

Shuma totale e pagesave vjetore që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontratat ppp, si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat PPP për vitin për vitin 2024, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2023, përllogaritet në rreth 29.9 miliardë lekë.

Shumica e kontratave koncesionare me mbështetje buxhetore janë në hetim nga SPAK për kosto të larta dhe shkeljeve të rregullave dhe ligjeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb