TIRANE – Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë ekzekutoi urdhër ndalimet e Prokurorisë për 2 punonjës policie të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nën akuzat për “Falsifikim dokumentesh”, “Ekspertim i rremë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Dy punonjësit e policisë, Ramazan Veseli dhe Viktor Dulaj akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 21 nëntor 2016, në rrugën “Prokop Mima”, në Tiranë, ku gjatë një aksidenti rrugor mbeti i aksidentuar rëndë shtetasi L.L.

Veprimet e para hetimore në lidhje me këtë aksident janë kryer nga dy të ndaluarit Viktor Dulaj dhe Ramazan Veseli. Por nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se veprimet e kryera nga këta oficerë nuk ishin në përputhje me rrethanat faktike dhe për rrjedhojë kanë sjellë favorizimin e autorit të aksidentit, raporton policia.

Në këto kushte nga ana e Prokurorit të çështjes u nxorën urdhrat e ndalimit, të cilat u ekzekutuan menjëherë nga ana e SHÇBA-së, për veprat penale “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ekspertim i rremë”. Hetimet lidhur me këtë ngjarje vazhdojnë.

Ngjarja ndodhi më 21 nëntor 2016 

Një 28-vjeçare u arrestua  nga policia e Tiranës pasi aksidentoi një motoçiklist, të cilit doktorët iu desh t’ia prisnin njërën këmbë në QSUT.

Aksidenti ndodhi në rrugën “Prokop Mima”, ku Ina. M. ishte duke drejtuar një automjet “Nissan” kur është përplasur me një një motorr të drejtuar nga 45-vjeçari L.L. po me banim në Tiranë. I lënduari përfundoi në spital duke humbur gjymtyrën e poshtme të këmbës së majtë, siç njoftoi policia e Tiranës.

Policia nisi edhe procedimin penal ndaj këtij shtetasi  për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: