WASHINGTON

Gazeta “New York Times” njofton se zyrtarët e FBI-së ishin aq të alarmuar nga sjellja e Presidentit Trump pasi shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, saqë filluan të hetojnë nëse ai po punonte kundër interesave amerikane.


Gazeta citonte ish-zyrtarë të rendit që nuk deshën të identifikoheshin dhe të tjerë që kishin dijeni për hetimin të premten që thanë se hetuesit e kundërzbulimit, u përpoqën të zbulonin nëse presidenti “Trump po punonte me vetëdije për Rusinë, apo nëse kishte rënë pa e ditur nën ndikimin e Moskës”.


Zyrtarët i thanë gazetës se pasi zoti Comey u pushua në maj 2017, atyre u lindi shqetësimi kur zoti Trump e lidhi vendimin e tij me hetimin për Rusinë.


Zyrtarët e agjencive të rendit kishin konfirmuar më parë se pas shkarkimit FBI-ja hapi një hetim për të përcaktuar mëse ky veprim përbënte pengim të drejtësisë. Megjithatë, nuk ishte bërë publik fakti që ata ishin përpjekur gjithashtu të përcaktonin nëse vetë veprimet e presidentit, përbënin një kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë kombëtare, sipas “New York Times”.

Disa ditë më pas ky hetim kaloi nën atë të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller pasi ai u emërua për të hetuar përpjekjet e Rusisë për të ndikuar tek zgjedhjet e vitit 2016, si edhe lidhjet e mundshme mes Rusisë dhe fushatës së zotit Trump, shkruan VOA.

Presidenti Trump reagoi ndaj artikullit, duke shkruar të shtunën në Twitter. “Uau, sapo mësova në New York Times-in e dështuar se ish-udhëheqësit e korruptuar të FBI-së, pothuajse të gjithë të pushuar ose të detyruar të largohen nga agjencia për disa arsye shumë të këqija, kishin hapur hetim për mua, për asnjë arsye dhe pa prova, pasi unë shkarkova gënjeshtarin James Comey-n, një njeri shumë i ulët!”

Nuk ka pasur prova publike që zoti Trump të kishte qenë në kontakt me Rusinë gjatë fushatës dhe vetë ai ka mohuar çdo lidhje të paligjshme. Edhe Rusia i ka mohuar akuzat.