Një 20-vjeçar nga Ohio arrestohet me pretendimin për sulm ndaj një qendreje hebreje, thuhet në deklaratën e FBI-së. Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka njoftuar se agjencitë e zbatimit të ligjit kanë parandaluar një sulm potencial terrorist nga supremacisti i bardhë ndaj një qendre komunale hebreje duke arrestuar një 20-vjeçar nga Ohio i cili pretendohet se ka publikuar planin e të shtënave në rrjetet sociale transmeton Anadolu Agency(AA).

Pasi u njoftua nga policia e Ohio-s, FBI hetoi rastin dhe të premten bastisi shtëpinë e James Reardon Jr ku gjeti një arsenal me armë, thuhet në kumtesën e FBI-së. “Kjo po konsiderohet si hetim që vijon, më shumë detaje nuk mund të japim në këtë kohë”, thuhet gjithashtu në kumtesë.

Reardon u kap pasi postoi në llogarinë e tij në Instagram një video ku ai po gjuante me armë me një titull ku shkruhej: “Policia identifikoi sulmuesin e Komunitetit të Familjes Hebraike Youngstown, nacionalistin e bardhë Seamus O’Rearedon”.

Seamus është versioni James nga gjuhët goidelike.

Reardon po mbahet në burgun Mahoning County në Ohio dhe është planifikuar të paraqitet në gjykatë në të njëjtin qark të hënën. Për lirimin e tij nga paraburgimi kërkohet një kaucion prej 250,000 dollarësh.

Grupet hebreje në SHBA vlerësuan lartë përpjekjet e agjencive të zbatimit të ligjit për të mbrojtur komunitetin hebre kundër nacionalizmit të bardhë dhe ekstremizmit të dhunshëm.

FBI në muajin maj publikoi një raport duke zbuluar një rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve brenda vendit të terrorizmit supremacist të bardhë.

Në vitin 2017 janë arrestuar 150 individë me akuza që ndërlidheshin me terrorizmin e brendshëm, ndërsa në vitin 2018 – 120. Një zyrtar anonim i antiterrorizmit për CNN ka thënë se FBI mund të tejkalojë ato shifra deri në fund të shtatorit.

Sipas CNN, rastet që konsiderohen si terrorizëm i brendshëm nga FBI në përgjithësi përfshijnë dhunën antiqeveritare, sulme ndaj individëve apo grupeve racore ose fetare, ekstremizmi kundër abortit dhe ekstremizmi i grupeve për mbrojtje të mjedisit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb