Agjentët e FBI-së kanë kontrolluar shtëpinë e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, një ditë pasi u shpall aktakuza ndaj tij.
Adams është kryebashkiaku i parë në detyrë në historinë e qytetit që përballet me akuza penale. Aktakuza e tij nuk është hapur ende, por ajo pason një hetim federal për korrupsion.
“Agjentët federalë u shfaqën këtë mëngjes në Gracie Mansion në një përpjekje për të krijuar një spektakël (përsëri) dhe për të marrë telefonin e kryetarit Adams,” tha në një deklaratë avokati i Adams, Alex Spiro.
Adams i rezistoi thirrjeve për të dhënë dorëheqjen dhe kërkoi “lutje dhe durim” në një video-deklaratë.
“Gjithmonë e kam ditur se nëse do të qëndroja për njujorkezët, do të isha një objektiv – dhe një objektiv do të bëhesha”, tha Adams. Në vijim ai shtoi “nëse më akuzojnë, jam i pafajshëm dhe do ta luftoj këtë me çdo grimcë të forcës dhe shpirtit tim”.
Tetë muaj më parë, FBI-ja konfiskoi telefonat dhe iPad-in e tij.
Hetuesit konfiskuan gjithashtu telefonat e komisarit të policisë, kancelares së shkollave, dy nënkryetarëve të bashkive dhe një këshilltari të lartë që mbikëqyrte kontratat e strehimit të emigrantëve muajin e kaluar.
Komisioneri i policisë Edward Caban dha dorëheqjen më 12 shtator duke e argumentuar veprimin si “për të mirën e këtij qyteti” dhe të Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut.