TIRANE-Partizani do të ketë një detyrë të vështirë të hënën. Klubi i kuq është i detyruar që të mbajë larg stadiumit tifozët e Tiranës, ndërsa rrezikon sanksione të rënda nëse në shkallët e “Qemal Stafës” krijohen trazira. Në fakt, drejtuesit e Partizanit kanë shprehur më herët dëshirën që në stadium të jenë edhe tifozët e rivalëve të përjetshëm, Tiranës, por kjo dëshirë ka marrë një “Jo” të prerë nga shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Besnik Çela, që paraditen e djeshme ka zhvilluar një takim me klubin pritës. Çela ka këmbëngulur në faktin se në stadium nuk duhet të ketë asnjë tifoz të Tiranës, pasi në të kundërt, në rast të trazirave të mundshme, përgjegjës për çdo situatë të krijuar do të jetë klubi organizator, në këtë rast Partizani. Pas paralajmërimit të marrë nga FSHF-ja, drejtuesit e 15 herë kampionëve të Shqipërisë po studiojnë të gjithë mekanizmat për të shmangur hyrjen e tifozëve bardheblu në stadium, qoftë në mënyrë sporadike, në sektorët ku do të jenë të vendosur me shumicë mbështetësit e Partizanit. Klubi i kuq, nëpërmjet një njoftimi zyrtar bëri të ditur se në treg do të hidhen bileta vetëm për tifozët e Partizanit, në respektim të vendimit të komisioneve juridike të FSHF-së, për të mos lejuar futjen në stadium të fansave të Tiranës. Duket se Partizani do të ketë një detyrë shumë të vështirë për derbin e radhës. Nëse përballja e parë mes dy klubeve të kryeqytetit ishte pa praninë e asnjërës tifozëri, ndeshja e dytë do të jetë vetëm me mbështetësit e kuq, ndërsa nuk përjashtohet infiltrimi i ultrasve bardheblu, një pjesë e të cilëve kanë qenë shpesh problematikë në stadiumet tona, ndërsa në këtë kampionat kanë shpërthyer në dhunë në Shkodër dhe Elbasan, duke marrë dhe dënime të ashpra nga Disiplinori i FSHF-së.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: