TIRANË- Akademiku Artan Fuga ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për futjen e mësimit të fesë si lëndë mësimore në shkollë. Në një status në facebook, Fuga shkruan se kjo ide ka krijuar konfuzion dhe kaos si në çdo institucion dhe shpreh krizën e përgjithshme të arsimit.

“Mësimi i fesë në shkollë! Konfuzion i paparë edhe i propozimit fillestar edhe i kundërshtimeve, edhe i orekseve të klerikëve. Kaos total si kudo, në institucione, në prona, privatizime, etj. Do t’ju tregoj absurdin e moskuptimit që ridoli në pah e marrëdhënies midis shkollës dhe fesë. Kaos që shpreh krizën e përgjithshme të arsimit për të cilën po u bie kambanave që nuk duan t’i dëgjojnë”, deklaron Fuga.

Më tej ai ka reaguar ndaj deklaratave të Ministres Nikolla e cila tha se mësimi i fesë dhe kultura fetare janë dy gjëra të ndryshme. Në të kundërt Fuga thotë se janë identikë dhe lutet që të mos bëhen deklarata të nxituara nga qeveria.

“I lutemi ministrisë të arsimit të kuptojë se feja dhe kultura fetare janë identikë. Prandaj me përulje lusim përsëri të mos nxitohen në deklarata që tregojnë padije duke pohuar se fusin kulturën fetare por jo fenë. Mos ju lutemi!”, shkruan Fuga në një status tjetër, ndërsa shton se kësaj lutjeje i bashkohen edhe prof. Genta Skura e Mark Marku.

Dy ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se ka ardhur koha që shkollat publike të hapin dyert për njohjen e besimeve fetare. Në aktivitetin e organizuar nga Komuniteti Mysliman për ditëlindjen e profetit Muhamed, Rama u shpreh se projekti i qeverisë nuk cënon laicitetin  e shkollës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: