Nga: ENIDA HIMAJ*
Dafina Zeqiri është ndër këngëtaret më të pëlqyera në vendin tonë. Me stilin unik që e karakterizon, këngëtarja ia ka dalë që të jetë më e suksesshmja në tregun tonë. Krahas karrierës, një jehonë të madhe në media ka pasur edhe jeta e saj private. Dafina është përfolur shumë shpesh për historitë me meshkujt. Rreth një vit më parë, mediat folën për lidhjen e saj me një djalosh nga Republika Dominikane.

Burimet tregojnë se Dafina dhe i dashuri janë takuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që nga ai moment mes tyre ka nisur një raport dashurie. Ditët e fundit në media është shkruar për pushimet e çiftit në Santorini. Së bashku me partnerin e saj, Dafina ka kaluar disa ditë relaksi në ishullin e mirënjohur. Vetë Dafi ka shpërndarë disa foto, ku shfaqet nën shoqërinë e partnerit.

Megjithatë, këto foto-paparac që kanë mbërritur te “Summer Pages” na rrëfejnë më shumë rreth këtij udhëtimi. Siç mund të shihet edhe në foto, së bashku me çiftin në këto pushime ka qenë edhe mamaja e këngëtares. Burimet flasin se Dafina e ka zyrtarizuar tashmë marrëdhënien e saj dhe të dy kalojnë më shumë kohë te familjet e njëri-tjetrit. E për t’u njohur më mirë, si dhe për të shijuar këto pushime me familjen, mamaja e Dafinës ka përfituar nga këto ditë për të kaluar më shumë kohë me dhëndrin e ri të familjes. Miqtë pranë këtij çifti flasin për një fejesë të fshehtë mes djaloshit nga Republika Dominikane dhe Dafinës. Deri më tani vetë këngëtarja nuk ka ndarë asgjë me fansat.

Pas lajmit për lidhjen e tyre, këngëtarja nisi të postojë në “Snapchat” foto të tij, por duke i fshehur fytyrën. Gjatë pushimeve në Santorini Dafina postoi edhe një tjetër foto të të dashurit të saj. Megjithatë nuk zbuloi se së bashku me ta në ishullin grek ishte edhe mamaja e saj. Burimet treguan se të tre qëndronin gjatë gjithë kohës së bashku. Resorti që kishin zgjedhur për të pushuar ishte ndër më luksozët në vend. Dafina përgjatë gjithë ditëve të pushimit ka qëndruar sportive dhe pa truk, duke shijuar detin dhe shoqërinë e mirë. Të gjithë jemi shumë kuriozë se si do të vijojë marrëdhënia e tyre, pasi të shumtë janë miqtë që rrëfejnë se shumë shpejt do të kemi edhe një dasmë në horizont.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: