Tragjedi në Detin Baltik, në një traget që udhëtonte nga Suedia në Poloni. Një djalë 7-vjeçar ka rënë nga anija ndërsa ishte në det të hapur dhe nëna e tij është zhytur menjëherë, ndoshta në përpjekje për ta shpëtuar. Të dy kanë vdekur, ka deklaruar policia polake.
Sipas Associated Press, e cila citon zëdhënësin e administratës detare suedeze Jonas Franzen, dy viktimat, të dy shtetas polakë ishin në Stena Spirit, një traget pasagjerësh. Fëmija ra nga një lartësi prej 20 metrash dhe nëna u hodh menjëherë më pas në përpjekje të dukshme për ta shpëtuar.
Fëmija u gjet në ujin e akullt pas rreth 10 minutash, ndërsa nëna 38-vjeçare u gjet pas rreth një ore. Ekipet e shpëtimit i transportuan ata veçmas me helikopter në spitalin në Karlskrona, Suedi, ku u shpallën të vdekur. Përpjekjet për reanimim ishin të padobishme. Anijet dhe helikopterët nga Suedia dhe njësitë e NATO-s të pranishme në zonë ndihmuan në operacionet e shpëtimit.
Trageti i cili kishte pak më shumë se 300 njerëz në bord ishte në gjysmë të rrugës së udhëtimit të tij kur ndodhi tragjedia. Autoritetet suedeze po përpiqen të kuptojnë se çfarë mund të ketë ndodhur, po vlerësohen pista të ndryshme, nga prania e mundshme e një personi të tretë deri te kushtet e sigurisë së anijes, përfshirë sjelljen e nënës. Policia ka nisur një apel për çdo dëshmitar që të mund të rindërtojë ngjarjen.