TIRANË

Një rrëfim tronditës ka ardhur sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 nga një nënë. Ndërsa u përball nëpërmjet një lidhjeje telefonike me ish-bashkëshortin për çështjen e vajzës 5 vjeçe, të cilën i ati kishte një vit që nuk e takonte, gruaja foli dhe për akuzat ndaj saj.


Edmondi, 35 vjeç, ish- bashkëshorti tregoi se para vajzës 5-vjeçare kishin pasur një fëmijë tjetër që kishte lindur pa gjymtyrë. Ai akuzoi ish-bashkëshorten nga Lushnja se nuk i kishte dhënë të pijë qëllimisht, duke e nxjerrë këtë gjë si një nga shkaqet e problemeve mes tyre që përfundoi në divorc.


Por ish-gruaja është përgjigjur sot në një lidhje telefonike për këto akuza, duke treguar historinë e dhimbshme të lindjes së fëmijës së parë.


“Unë kisha probleme dhe nuk po ngelesha dot shtatzënë. Pas shumë përpjekjesh ngela dhe ndiqesha rregullisht në Durrës tek një gjinekologe. Nuk më kishte thënë asgjë. Më jepte mjekim por nuk më tha kurrë asgjë për probleme tek fëmija.
Pak ditë para datës kur doktoresha më kishte thënë se mund të lindja, unë shkoj tek prindërit e mi në Lushnjë dhe meqë kam tezen doktoreshë më merr ajo për të bërë një eko. Shkova në spital vetëm për një eko, kur më thonë se duhet të lindja patjetër sepse fëmijës kishte nisur t’i thahej lëkura pasi nuk kisha ujëra fare në bark. E marr Edmondin në telefon dhe i them që merr rrobat që kam bërë gati e hajde urgjent se po më fusin në sallë, pasi dhe fëmija ishte me kokë lart. I tregova që erdha për eko dhe më thanë se duhet urgjent të hysh në sallë. Kanë qenë tre mjekë në sallë, shumë të nderuar. Kur njëri prej mjekëve ka parë fëmijën, është ulur në tokë dhe iu ka thënë infermiereve unë nuk e prek me dorë këtë grua.
Fëmija nuk kishte këmbë, i kishte deri tek gjunjët. Nuk kishte organe gjenitale, nuk kishte të ndenjura, ishte vetëm shpinë, as mushkëritë nuk i kishte të zhvilluara. (qan…)Vetëm fytyrën e kishte në rregull. Por mua nuk ma lanë fëmijën. Të gjithë vinin me sytë e përlotur tek unë. Nuk ma sillnin, më thoshin është i pazhvilluar, është në inkubator. Sa të jetë jeta nuk e harroj atë fëmijë. E kam tatuazh në trup (qan…) Doktorët më kanë thënë t’i bëjmë një gjilpërë dhe mos e merr në shtëpi. Unë i thosha jo, se e kam mbajtur 9 muaj. Ishte ai zotëria që më thoshte ta lëmë t’i bëjmë gjilpërë. Unë nuk e kam ushqyer me gji se nuk kisha gji, e kanë ushqyer nëna ime dhe motra me shiringë. Por ishte si cung, nuk reagonte fare. Motra ime e lante e shpëlante dhe nuk reagonte, unë sa shkova e preka me gisht dhe e thirra Amelia, hapi sytë. Nuk e harroj kurrë atë moment. 12 ditë jetoi”, tregoi ish-bashkëshortja e Edmondit.

Ajo tha se problemet mes tyre nuk ishin për shkak të kësaj fatkeqësie.
“Nuk kemi pasur probleme për shkak të vajzës që na vdiq por se ishte bixhozxhiu më i madh në Durrës. Unë pata një fatkeqësi me martesën e parë, por nuk i kam fshehur asgjë, ia kam treguar. Unë kam mbledhur hekura me atë person”, tregoi ajo.

(BalkanWeb)