BULQIZE– Gazetarët e emisionit “Le Iene” kanë ardhur në Shqipëri, ku kanë realizuar një reportazh për kushtet e vështira në të cilat jetojnë banorët në Bulqizë, ndërsa në fokus është varfëria e kësaj zonë.

Sipas ‘’Le Iene”, fëmijët 10-13 vjeçarë lënë shkollën për të mbledhur krom dhe për të siguruar bukën e gojës. Frigoriferët bosh, infrastruktura që lë për të dëshiruar dhe fëmijët në kërkim të kromit janë ato që italianëve iu bëjnë më së shumti përshtypje. E sigurisht dhe fakti që vetëm nga miniera e Bulqizës nxirren çdo vit rreth 120 mijë ton krom që kapin shifrën e 40 milionë eurove, por banorët e kësaj zone sërish jetojnë në skamje.

“Fëmijët që po shikoni nuk  janë duke luajtur, ata punojnë që të ndihmojnë familjet e tyre. Ata kërkojnë krom, Janë fëmijë të moshës 10 deri në 13 vjeç dhe në vend që të jenë duke studiuar si  të gjithë moshatarët e tyre e kalojnë kohën në këtë mënyrë”, këto janë fjalët e para të gazetares italiane për reportazhin e realizuar në qytetin e qytetin e Bulqizës.

reportazhi1

“Të gjithë banorët e Bulqizës punojnë me kromin. Kjo grua është nënë e dy fëmijëve që punojnë në mbledhjen e kromit. Ajo na tregon kushtet në të cilat jeton. Shtëpia është gati duke rënë dhe ajo mezi ia del të ketë me çfarë të ushqejë fëmijët. E vetmja gjë që ka në frigorifer janë disa bidona ujë, pasi uji vjen vetëm 2 orë në ditë dhe disa perime të konservuara. Gesti në vend që të shkojë në shkollë, mbledh krom”, vijon më tej rrëfimi.

Duke u ndalur te familjët dhe frigoriferët bosh të tyre, gazetarja italiane ndalet për darkë në një prej tyre, madje ka gatuar për ta.

reportazhi

Timi tregon: “Unë kur të rritem dua të bëhem si babi. Ai i bën të gjitha, murator, elektriçist. Ai do lumturohet shumë nëse bëhem si ai, e kam ëndërr. Në këtë qytet nuk ka shumë gjëra për të bërë, por ka edhe fëmijë që nuk shkojnë për krom. Atyre nuk u tregoj se shkoj për krom, por për të kaluar kohën. Po ta dinin do më thonin  ‘i ky s’ka bukë për të ngrënë’”.

Timi është i lodhur ndaj e lemë të shkojë për të fjetur sepse nesër e pret ditë e rëndë. Është ora 7 e gjysmë dhe Timi duhet të zgjohet, prindërit kanë shkuar në punë dhe për mëngjesin e  tij mendon e motra, Mia.

Vjen Blero dhe së bashku vendosin në cilin mal të shkojnë për të mbledhur krom. Ende pa mbaruar së ngrëni, veshin këpucët, marrin kovat dhe shkojnë të thërrasin mikun e tyre Gestin. Ai vonon pak, por në fund vjen dhe djemtë nisen drejt malit. Janë fëmijë dhe e kalojnë ditën në kërkim të gurëve që shkëlqejnë më shumë, në kërkim të kromit. Duart e këtyre fëmijëve tregojnë punën që bëjnë këtu çdo ditë. Kur kovat nuk kanë më vend, ata e marrin kronin në bluza”.

reportazhi2

Ndërsa pasi djemtë janë lodhur nga puna dhe duhet të pushojnë pak, gazetarja i pyet për sportin.

Gazetarja: Ju pëlqen futbolli?

Fëmijët: Po.

Gazetarja: Për kë bëni tifo?

Fëmijët: Lio Messi, Barcelona.

Gazetarja: Shqipëri-Itali fituam ne.

Fëmijët: Po fituat, po mbrojtësi jonë Basha e kishte fajin, por ne prapë do luajmë me ju dhe do u mundim.

Më pas nisemi për në shtëpi. Ne me kamera të fshehur shoqërojmë fëmijët kur shesin kromin. Ata paguhem me një çmim shumë qesharak. Nga dora e fëmijëve kromi kalon tek sipërmarrës më të mëdhenj dhe më pas shpërndahet nëpër botë. Fëmijët tanë nga e gjithë kjo kanë fituar disa qindarka. Ata me një ditë kaq të lodhshme pune mundën të çojnë në shtëpi një pako makarona dhe një kile miell…”

E në fund kur ata shkojnë në banesë prindërit e sfilitur nga mundi i japin një buzëqeshje…tek e fundit ajo është e gjitha çfarë kanë.

(d.d/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: