ITALI


Familjarët e 35-vjeçarit , Redian Abllanica, i cili ka humbur jetën në një aksident në Itali përpara tri ditësh kërkojnë që të zbardhet e vërteta për këtë tragjedi. Bashkëshortja e tij italiane Serena Luicietto tha për mediat fqinje se kërkon të bëhet autopsia.


“Na thanë se hetimet janë mbyllur, por ne duam që të kryhet autopsia. Duket gjithçka e çuditshme. Në asfalt janë akoma shenjat e frenimit. Duam të kuptojmë se çfarë ndodhi. Nuk do ta varrosim tim shoq deri sa ta kuptojmë se çfarë ndodhi”, tha bashkëshortja.


Aksidenti që i mori jetën Redian Abllanicës ndodhi në mëngjesin e 4 Tetorit në zonën e Bessicas. Sipas asaj që shkruajnë mediat, i riu humbi kontrollin e skuterit tip “Yamaha Majesty 400” me të cilin udhëtonte dhe përfundoi në një rreth-rrotullim.

Abllanica kishte qenë atë natë te nëna e tij, e cila jetonte në komunën italiane të One di Fonte. Rediani donte të kalonte natën në atë vend, mirëpo kishte ndërruar mendje, edhe për faktin se do çonte nesër në mëngjes fëmijët e vegjël në shkollë. Ai u nis për në banesën e familjes, kur pësoi aksidentin fatal.

Bashkëshortja ka rrëfyer për mediat italiane se fëmijët akoma nuk e dinë se babai i tyre nuk jeton. “Fëmijët nuk e dinë akoma se babai nuk jeton më. Janë mësuar sepse shpesh ishte larg për punë dhe nuk dyshojnë asgjë. Unë jam takuar me një psikologe. Do ua japim lajmin ngadalë, kur të jetë momenti, pasi të kalojë një periudhë kohe”, tha ajo.

(Balkanweb)