LUSHNJË- Punonjësit e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në prag të Krishtlindjeve, dhuruan gjak për fëmijët talasemikë. Ndërkohë që është bërë publik edhe vendimi më i fundit i Fondit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit fëmijët talasemikë në Lushnjë e Fier mund ti marrin barnat e rimbursueshme pranë vendbanimeve të tyre.

Në kuadër të festave të fundvitit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në ndihmë të shtresave në nevojë, posaçërisht fëmijëve.

Një ditë më parë, një përfaqësi nga ky Institucion, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm Astrit Beci, gëzoi fëmijët talasemikë të zonës së Lushnjës dhe rrethinave me dhurata të posaçme për ta, të përgatitura me financim të vetë punonjësve të Fondit.

“Në prag të festës së Krishtlindjeve, vendosëm të dhurojmë gjak për fëmijët talasemikë, sidomos për zonën e Tiranës dhe Lushnjës, ku janë të përqendruar dhe numri më i madh i tyre. Në këtë periudhe festash, dëshirojmë të kthejmë vëmendjen e gjithkujt për të dhuruar gjak, pasi kjo është dhurata më e çmuar sepse shpëton jetë! I përgjigjemi kështu edhe kërkesës se shoqatës së talasemikëve, pasi nevojat për gjak në këtë periudhë janë tejet të mëdha”, tha Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së, Astrit Beci.

Ndërkohë Beci ka njoftuar për një vendim të marrë së fundmi nga ky institucion, që ka të bëjë me liberalizimin e shërbimit të marrjes së barnave për fëmijët talasemikë. “Dëshiroj gjithashtu të rikthej në vëmendje një prej vendimeve të fundit të Fondit, i cili tashmë është funksional në zonën e Lushnjës. Barnat e shtrenjta për fëmijët talasemikë që rimbursohen 100%, pacientët tashmë i marrin më pranë vendbanimeve të tyre. Pas kërkesave të vazhdueshme të Shoqatës se Talasemikëve, Fondi dhe Ministria e Shëndetësisë miratuan liberalizimin e ofrimit të këtij shërbimi edhe në një prej zonave ku është mbi gjysma e kontigjentit të fëmijëve talasemikë që trajtohen, siç është zona e Fier-Lushnjes”, u shpreh Astrit Beci.

Sipas tij, në sajë të këtij vendimi sigurohet shërbimi më afër pacientëve. Të sëmurët nuk marrin më rrugët çdo muaj drejt Tiranës për recetën me rimbursim, por do të mund ta marrin atë edhe ne Lushnjë, duke i kursyer mund dhe para dhjetëra familjeve.

Në total janë rreth 230 pacientë talasemikë qe mbulohen 100% nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Vetëm për një pacient, kosto mujore e mjekimit është rreth 250 mijë lekë të reja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: