Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në “News24”, u rrëfyen dy gra, të cilat së bashku me familjet e tyre rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur. Tre familjet Selimi, Hoxha dhe Vasili janë vendosur që prej vitit 1959 në zonën e plazhit në një objekt shtetëror, konkretisht ish-fabrika e akullit, Durrës. Me vendimin e komitetit ekzekutiv të kohës këtë magazinë e kanë përshtatur në ambiente banimi, ku kanë jetuar prej vitesh këta familjarë.


Por pas viteve ‘90 për këtë ndërtesë shtetërore janë ngritur pretendime për marrjen e pronës. Palët i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për pezullimin e ekzekutimit, njëkohësisht i janë drejtuar dhe organit të akuzës Prokurorisë Durrës me kallëzim penale për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre për Entin e Banesave, si dhe zyrës së Përmbarimit Durrës.



Flutura Selimi dhe Frosini Vasili rrëfejnë sot, sipas tyre, abuzimin që Gjyqtari i Çështjes ka bërë, pasi ato thonë se ai duhet të jepte masën e sigurimit për mos ekzekutimin e vendimit për prishjen e objektit. Qytetaret tregojnë se ky i fundit shtyu seancën gjyqësore, me qëllim që kreditori dhe përmbaruesi të bënin ekzekutimin e vendimit.

Kreditori në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë prishën objektin që s’kishte lidhje me vendimin, mbi të cilin kishte dalë urdhri i ekzekutimit. Qytetaret rrëfejnë se në atë kohë bënë kallëzimet penale. Gratë thonë se Zyra e Përmbarimit Durrës ekzekutoi vendimin “Lirim dhe dorëzim sendi” për prishjen e objektit, ndërkohë Inspektoriati Ndërtimor Durrës pranë bashkisë nuk pranoi të prishte objektin, pasi vetëm nëpërmjet vendimit të gjykatës duhej bërë.

Enti i Banesave Durrës, në anën tjetër, e klasifikoi këtë ndërtesë shtetërore si ndërtesë të ish-pronarit dhe kërkoi urdhër ekzekutiv. Pra, magazina e akullit u quajt shtëpi banimi. Sot tre familje kanë mbetur në mes të katër rrugëve.

Përfaqësuesit e tyre tregojnë ngjarjen si më poshtë, ndërsa bëjnë apel për ndihmë dhe drejtësi.

Zonja 1 në studio: Nuk trembem nga ligji, as nga policia, sepse fëmijët po i lë në rrugë. Nuk kemi pasur lajmërim për atë datë nga përmbaruesi. Në ‘59, ajo ndërtesë është ndërtuar nga një shoqëri italiane pas kësaj e mori ndërmarrja ushqimore e përdori si stallë. Më pas mori disa familje punëtorësh dhe i strehoi. Në ‘92 doli një vendim që ne të bënim privatizimin e kësaj banese, ne shkuam dhe donim ta bënim këtë gjë, por na thanë se nuk e bëni dot, pasi kjo tokë ka një pronar. Nuk e morëm vesh asnjëherë se kush ishte pronari, por nuk është i saktë pronari, e dimë këtë gjë se kemi shumë vite që jetojmë aty.

Pronari te ne s’ka paraqitur asgjë, jemi parë bashkë në gjyq, kemi 2 muaj që po bëjmë gjyq. Ka qenë një godinë e madhe ku secili prej nesh ka pasur hapësirën e tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit na ka thënë që regjistrimi i kësaj prone është i paligjshëm atëherë u detyruam të hapnim gjyq. E takuam zotërinë që pretendon se është një nga pronarët dhe nuk u morëm vesh me të.

Nuk kemi marrë as letër në dorë dhe as kemi firmosur, nuk na lajmëroi njeri nga përmbarimi. Kërkoja me këmbëngulje të hyja brenda në banesën time. Pata keqardhjen më të madhe kur vajzën ma morën në fugon të policisë dhe fëmijët ulërinin, vajza ime do ikë në Gjermani.

Zonja Frosini: Burri im e ka bërë kërkesën tek kontrolli i lartë shtetit dhe ai na ka dhënë të drejtë. Me morën lekët, më shkatërruan shtëpinë. Erdhën përmbarimi, por nuk na lajmëruan për të dalë jashtë. Na bënë presion.

Zyra e përmbarimit: I kemi lajmëruar edhe në gjyq që ekzekutimi do bëhej në datën 30. E kanë refuzuar marrjen në dijeni.

Zonja Frosini: Unë kam një adresë zonjë, të më lajmëronin në shtëpi

Përmbaruesja: Duke qenë se palët kanë marrë dijeni për ne ekzekutimi quhej i kryer. Kur ne mbaruan lirimin e një banese kanë ardhur 2 nga familjarët e tjerë. Ato kanë filluar të bërtasin fyejnë thyejnë objekte, por ne kemi çdo gjë të inventarizuar. Ne bëjmë njoftimin sipas legjislacionit. Zonja ka qenë në rregull kur kemi qenë ne dhe policia, nëse e çojnë në prokurori besoj verifikohet kollaj edhe përmes kamerave.

Zonja Flutura: Kush e shembi ndërtesën?

Përmbaruesja: Nuk kam dijeni.

Zonja Frosini: E kam burrin të sëmurë me parkinson, pse s’më prite ti mua të vija të hiqja plaçkat, dua të më kthesh lekët që më ke marrë, 7 milion lekë.

Përmbaruesja: Zonja ka marrë në dijeni që bëhej ekzekutimi në orën 10, asnjë njoftim nuk na ka bërë se ishte diku tjetër apo se kishte një problem në ato çaste.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb