KORCE – Një i ri mbeti i plagosur rëndë dhe është në rrezik për jetën, pasi pronari i një lokali tallava në fshatin Dishnicë të Korçës e masakroi atë më shkop bejsbolli.
Sipas Policisë, ai ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës si pasojë e rrahjes barbare.


Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur 23-vjeçari me inicialet M.T., është konfliktuar me 41- vjeçarin Olsi Zyberi dhe për pasojë ky i fundit e ka goditur me sende të forta në kokë duke i shkaktuar dëmtime serioze. Shkak i konfliktit është bërë një grindje banale ku personat edhe nën efektin e pijeve alkoolike janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke përdorur edhe sendet e forta, çka ka shkaktuar edhe plagosjen rëndë të njërit prej tyre.


I riu i plagosur është dërguar menjëherë në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën mjekësore. Por bluzat e bardha, për shkak të gjendjes së rënduar të tij vendosën ta dërgonin me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë. Ata kanë kërkuar helikopter, pasi transportimi me autoambulancë mund t’i rrezikonte jetën. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka shoqëruar autorin, ndërsa është duke hetuar për të zbardhur rrethanat e plagosjes.


Aktualisht janë duke u marrë në pyetje edhe të tjerë persona që ndodheshin në lokal, pasi dyshohet se edhe ata mund të jenë të përfshirë në sherr. Motivet e ngjarjes mendohet të jenë për shkak të konsumit të alkoolit, por nuk përjashtohet edhe dyshimi që shkak të ketë qenë ndonjë femër. Ky nuk është rasti i parë që në të njëjtin lokal tallavaje në Dishnicë të ndodhin sherre e përplasje për motive banale ndërmjet klientëve të ndryshëm.

“Specialistët e Seksionit të Krimeve kundër personit, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Olsi Zyberi, 41 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tij u bë pasi, sot në lokalin e tij, në afërsi të fshatit Dishnicë, ky shtetas pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me shtetasin M.O, 23 vjeç, banues në Korçë, e ka goditur këtë të fundit, në kokë me sende të forta. Shtetasi M.O, pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin e Korçës, u dërgua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore”, thuhej në njoftimin e Policisë së Korçës.(panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: