Deputeti i PD, Ferdinand Xhaferaj denoncoi nga foltorja e Kuvendit shembjen arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin të “Prestige Resort”, një ditë para se Gjykata Administrative të shprehej me vendim lidhur me kërkesën për të pezulluar prishjen. Ligjvënësi demokrat iu drejtua me disa pyetje kryeministrit Edi Rama se pse ndërmoi një akt të tillë në kundërshtim me ligjin. “70 kg tritol u vendosën të “Prestige” më 4 dhjetor të vitit 2022 një ditë para se Gjykata Administrative të shprehej për kërkesën e “Prestige Resort” për të pezulluar shembjen. Por jo vetëm kaq, nga fillimi deri në fund, nga 2016 kur firmosi leje Edi Rama e ka inspekuar vetë në vite “Prestige resort”. Pse e shembi në kundërshtim me ligjin?”, u shpreh Xhaferaj.
Xhaferaj kritikon edhe qëndrimin e opozitës e cila sipas tij nuk di se ku ndodhet, ndërsa shtoi se PD mendon se rrëzohet qeveria duke protestuar përballë parlamentit apo poshtë ballkonit. “Aty më 4 dhjetor të 2022 të gjithë deputetët e opozitës duhet të ishin të “Prestige Resort”, aty poshtë tritolit, le ta hidhte në erë bashkë me opozitën”, deklaroi Xhaferaj.
Pjesë nga fjala e Xhaferajt:
“Oligarku i vetëm politik dhe ekonomik në këtë vend është kryeministri. Kush nuk e ka akoma të qartë le të kthejë kokën mbrapa dhe të pyesë pse u prish “Prestige Resort”? 70 kg tritol u vendosën të “Prestige” më 4 dhjetor të vitit 2022 një ditë para se Gjykata Administrative të shprehej për kërkesën e “Prestige Resort” për të pezulluar shembjen. Por jo vetëm kaq, nga fillimi deri në fund, nga 2016 kur firmosi leje Edi Rama e ka inspekuar vetë në vite “Prestige resort”. Pse e shembi në kundërshtim me ligjin? Vetëm e vetëm për të përcjellë mesazhin që “oligarku i vetëm politik dhe ekonomik në këtë vend jam unë”. Këtu ka përgjegjësitë e saj edhe opozita, një opozitë që nuk e di se ku është, se nuk përmbyset e rrëzohet Edi Rama duke i dalë përballë Kuvendit apo poshtë ballkonit. Aty më 4 dhjetor të 2022 të gjithë deputetët e opozitës duhet të ishin të “Prestige Resort”, aty poshtë tritolit, le ta hidhte në erë bashkë me opozitën. Kjo është të sprapshësh Edi Ramën. Edhe nuk shkonim aty për “Prestige Resort”, shkonim aty kundër brutalitetit të pushtetit kundër biznesit dhe shtetit”, tha Xhaferaj.
(BalkanWeb)