Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet në lidhje me fermën e kanabisit që u zbulua në Berat në 2023.
SPAK ka dërguar për gjykim 17 të pandehur, ndërkohë që ka shpallur moskompetencë për 93 gra dhe vajza të cilat punonin në ambientet e përshtatura si sera.
Kujtojmë se organizimi i aktivitetit kishte nisur në Dhjetor të vitit 2021, ndërsa u shtri gjatë periudhës Qershor-Nëntor 2022 dhe më datë 10.11.2022 u gjet dhe sekuestrua sasia prej 871.4 kg kanabis, e cila u zbulua në 769 arka plastike dhe brenda 11 thasëve prej plastmasi ngjyrë të zezë, gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri dhe municion luftarak. Nga aktiviteti rezulton të jetë përftuar në total një sasi prej 1.7-1.8 ton kanabis sativa.
Njoftimi:
Në përfundim të aktivitetit hetimor në kuadër të procedimit penal Nr. 5, viti 2023, dhe pas një hetimi dyvjeçar ndaj 113 (njëqind e trembëdhjetë) personave, përfshirë 95 gra dhe vajza, Prokuroria e Posaçme ka ndarë aktet hetimore. Për 93 prej këtyre grave dhe vajzave është shpallur moskompetenca lëndore për hetim dhe gjykim, duke dërguar aktet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku janë kryer veprat penale. Po ashtu, janë ndarë aktet hetimore edhe për 3 (tre) nga të hetuarit aktualisht, ndërkohë që hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar saktësisht.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur më 30.12.2024, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për gjykimin e çështjes ndaj 17 të pandehurve të akuzuar, duke bashkëlidhur aktet e procedimit penal nr. 5/1, viti 2023.
Të pandehurit janë:
Blerim Xheka
Sadetin Hasaj
Sidrit Bisha
Endriol Xheka
Jurgen Ujkaj
Suad Smakaj
Samoel Lushaj
Mirvaldo Disha
Hamdi Dyli
Arben Vrapi
Adiol Çifliku
Lulzim Bushataj
Mustaf Manej
Bashkim Mema
Edison Mema
Drita Mema
Izmire Mema
Akuzat
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 283 paragrafi 2, 284 paragrafi 2, 28/4, 333/a paragrafi 2 dhe 334 pika 1 të Kodit Penal, veprime që janë kryer në zonën e Rërës, Drenovicë (Berat), në një hapësirë toke nga 10 deri në 20-27 dynym, ku janë gjetur katër sera të mbyllura me plastmasë dhe të instaluara linja elektrike dhe furnizimi me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave.
Tipologjia e aktivitetit kriminal
Organizimi i aktivitetit kishte nisur në Dhjetor të vitit 2021, ndërsa u shtri gjatë periudhës Qershor-Nëntor 2022 dhe më datë 10.11.2022 u gjet dhe sekuestrua sasia prej 871.4 kg kanabis (produkt bime “canabis sativa L”), e cila u zbulua në 769 arka plastike dhe brenda 11 thasëve prej plastmasi ngjyrë të zezë, gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri dhe municion luftarak. Nga aktiviteti rezulton të jetë përftuar në total një sasi prej 1.7-1.8 ton kanabis sativa.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, organizimi, drejtimi dhe financimi i “Kultivimit të bimëve narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer më shumë se një herë, bëhej nga të pandehurit Blerim Xheka e Sadetin Hasaj.
Aktiviteti i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe i “Kultivimit të bimëve narkotike” ushtrohej dhe mbikqyrej njëherazi nga të pandehurit; Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj e Mirvaldo Disha.
Të pandehurit; Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Hamdi Dyli dhe Samoel Lushaj mbanin dhe armë pa leje në mbrojtje të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.
Aktiviteti i “Kultivimit të bimëve narkotikëve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” ushtrohej kryesisht nga të pandehurit; Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.
Sipërfaqet e tokave ishin marrë më parë me qera, nga të pandehurit; Hamdi Dyli e Arben Vrapi dhe familjarët e tyre (përmes kontratave). Pasi janë siguruar farat e kanabisit dhe fidanët dhe janë marrë dhe banesa me qera në Berat, për të qenë më afër aktivitetit ditor, është ngritur infrastruktura për mbjelljen dhe kultivimin e tyre, me qëllim shitjen e mëtejshme- e kryer nga Korriku 2022; të gjithë pandehurit dhe veçanërisht dy të akuzuarat femra, janë marrë me “rekrutimin” e krahut të punës/fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë, kundrejt joshjeve për pagesa të mira ditore për të punuar në sera, transport falas dhe sigurimit të fjetjes në ambientet sera, ku ishin krijuar edhe fjetore. Të pandehurit janë angazhuar aktivisht në kujdesin ndaj bimëve narkotike, mbarëvajtjes së aktivitetit kultivues, prerjes, tharjes e pastrimit të boçeve të kanabisit, shitjes së mëtejshme, shpenzimeve për mjete të domosdoshme pune, ushqime e medikamente për bimët, medikamente mjekësore si dhe pagesat e punëtoreve në sera.
Hetimet nxjerrin përfshirjen edhe të personave të tjerë, josaktësisht të identifikuar në kryerjen e këtij aktiviteti të kundraligjshëm në Grup të Strukturuar Kriminal, dhe ndaj të cilëve vijon të kryhen hetime të mëtejshme.
(BalkanWeb)