TIRANE- Pas deklaratës së deputetit të LSI-së, Edmond Panariti se qeveria do të çojë vendin në kolaps ekonomik dhe se fermerët do degdisen jashtë vendit, vjen reagimi i ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi. Përmes një deklarate zyrtare, Peleshi i përgjigjet paraardhësit të tij se mbështetja financiare për fermerët është rritur.


Ministri tha se e vërteta sot është shumë larg nga ajo që deklaron ish-ministri dhe qeveria është më pranë fermerëve se dje. Po ashtu ministri Peleshi tha se këtë vit janë bërë 6000 aplikime nga fermerët e vegjël, 25% më tepër se dje.


REAGIMI I PELESHIT
Reagim i ministrit Peleshi per komentet e deputetit te LSI Panarit:
Keqardhje për kolegun Panariti, që si të gjithë kolegët e LSI- së e ka harruar shumë shpejt se çfarë predikonte dhe çfarë bënte kur për katër vjet me radhë mbuloi detyrën e ministrit të bujqësisë. Faktet dhe shifrat e aplikimeve të sivjetshme, flasin qartësisht për rritje financiare e cilësore të mbështetjes për fermerët. E vërteta sot është shumë larg nga ish-ministri dhe qeveria është sot shumë më pranë fermerëve se dje. Me bindjen se vetë kolegu thotë atë që i thonë të thotë dhe jo atë që mendon se duhet thënë, ja disa fakte e shifra që flasin vetë:
Këtë vit kemi 6000 aplikime nga fermerët e vegjël, 25% më tepër se dje.
Nxitja për bashkimin në shitje të fermerëve të vegjël, duke i përjashtuar bashkimet e tyre nga TVSH-ja e duke siguruar për to 25-50% më tepër financim krahasuar me fermerët individualë, është mbështetje reale për rritjen e të vegjëlve dhe aspak mohim mundësish për ta.
Për herë të parë qeveria mbështet edhe ekonomitë jobujqësore si agroturizmi dhe produktet tipike, çka hap mundësi të reja për fermerët e vegjël.
Shumë shpejt do të shohin të gjithë atë që di edhe miku im Panariti, ndryshimin cilësor në terrenin e jetës reale të fermerëve të vegjël që do të kthehen në shembull nxitës për kategorinë e tyre, duke u përfshirë në skemat e reja. Dhe kolegu im nuk duhet të shfaqet i mërzitur nga ky ndryshim, se fermerëve pa dallim u duhet bujqësia jo LSI-ja. Edhe Shqipërisë që punon tokën po ashtu???
(ed.me/BalkanWeb)