Fermeri irlandez Joe Phelan futi dy alpaka, nga familja e deveve, në një shtëpi të moshuarish në Irlandë, të cilët prisnin radhën për t’i përkëdhelur.
Një dekadë pasi hoqi dorë nga puna e tij në zyrë për bujqësi, 64-vjeçari “Joe Phelan” ka gjetur një punë të re për tufën e tij prej 71 devesh të Amerikës së Jugut: terapia e kafshëve për të moshuarit dhe persona me nevoja të veçanta.
“Ata mund t’i ndiejnë. Shohin sytë e tyre të mëdhenj dhe kaf. Thjesht janë shumë relaksues. Të japin kënaqësi teksa i dëgjon duke gumëzhitur “.
“Tani ne punojmë me shkollat lokale, me klasat me nxënës me nevoja të veçanta dhe mësuesit na thonë se ndikimi te fëmijët është vërtet pozitiv. Është vënë re se përqendrimi i tyre përmirësohet, se janë shumë më të relaksuar dhe është më e lehtë për të punuar me ta.”
Phelan fillimisht shqyrtoi llojet më tradicionale të bujqësisë në të cilat familja e tij ishte përfshirë për qindra vjet, por tha se nuk të jepnin mundësi për të përballuar mbijetesën.
Në vend të kësaj ai filloi të hulumtonte opsionet alternative të bujqësisë. Ai më në fund bleu shtatë alpaka dhe shiti shtëpinë për të blerë një fermë për t’i kullotur ato.
Ai hapi një dyqan me çorape leshi alpaka dhe lodra të buta. Por ai shpejt vuri re potencialin e tyre për të lehtësuar ankthin mes vizitorëve të moshuar dhe atyre me nevoja të veçanta.
“Ne kishim një ndikim vërtet pozitiv te njerëzit me nevoja të veçanta, qofshin fëmijët me autizëm, të rritur apo adoleshentë me sindromën Doën, të rritur dhe fëmijë me nevoja të veçanta e kështu me radhë. Kjo ka çuar në më shumë punë rreth anës terapeutike të biznesit që ne bëjmë”.
Biznesi tashmë ka të punësuar 11 persona, ka 71 alpaka e dy lama shumë të mëdha dhe ofron akomodim për vizitorët.
Phelan mori dy nga alpakat e tij në një furgon dhe shkoi në Shtëpinë e të moshuarve në Oakfield.
“Ne e dimë se kemi disa djem dhe vajza që janë të përshtatshëm për punë terapeutike”, tha ai. Ai ende duhej të qortonte butësisht alpakat e përzgjedhura kur pushonin pranë pacientëve.
Koordinatorja e aktiviteteve në shtëpinë e të moshuarve, Sineád Meegan tha se banorët ishin të emocionuar për vizitën dhe se do t’i ftonte përsëri së shpejti, vetëm për të parë buzëqeshjen në fytyrat e tyre.
“Mendoj se solli shumë kujtime për njerëzit që do të ishin rritur në ferma, që do të ishin fermerë. Besoj se edhe ndjesia e leshit u riktheu shumë kujtime njerëzve, veçanërisht grave thurin. Unë do ta rekomandoja shumë këtë terapi për këdo.”
(BalkanWeb)