Egnatia mbylli dy ditë më parë vitin perfekt, pasi arriti të fitojë gjithçka të mundshme në futbollin shqiptar. Tani për rrogozhinasit del përpara një detyrë e vështirë, pasi i duhet të mbrojë sukseset e arritura.
Nuk do të jetë e lehtë, të paktën me kontingjentin që kanë në dispozicion kanë treguar se nuk janë më ajo superfuqi e sezonit të kaluar që dominonte mbi kundërshtarët. Për këtë arsye, zgjidhja dhe rruga e vetme për të tentuar sërish trofe varet nga merkatoja dhe mësohet se presidenca e Egnatias ka gati dhuratat për trajnerin Edlir Tetova.
RIKTHIMI I FERNANDOS – Fernando Medeiros është gjithnjë e më pranë rikthimit në kampionatin shqiptar dhe në radhët e Egnatias. “Panorama Sport” paralajmëroi pak ditë më parë për këtë lëvizje që patën menduar kampionët në fuqi të vendit, ndërsa tani gjithçka pritet të marrë formë zyrtare, sipas burimeve të gazetës pranë kampit rrogozhinas.
Në fund të sezonit të kaluar braziliani vendosi të provonte një aventurë jashtë Shqipërisë, në Azerbajxhan, te skuadra e Sumqayit, por duket se gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë për të. Ndoshta ai nuk është përshtatur si duhet dhe ka menduar që të bëjë prapakthehu. Mesfushori 28- vjeçar ka luajtur për dy sezone me Egnatian, ku ka fituar kupën dhe kampionatin, duke qenë një nga lojtarët kryesorë në ekipin e drejtuar nga Tetova.
Braziliani shënoi sezonin e parë 4 gola, ndërsa në të dytën e gjeti rrugën e rrjetës plot 7 herë. Ditët në vazhdim pritet të zbardhin më shumë detaje në lidhje me ribashkimin e Fernandos me Egnatian. Fakti që lojtari e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe për më tepër skuadrën është një avantazh i madh për stafin teknik të rrogozhinasve, pasi ai mund të integrohet menjëherë në formacion për të dhënë kontributin e tij gjysmën e dytë të kampionatit.
LËVIZJET – Duke qenë se Egnatia ka humbur disi terren nga rivalët e saj për titull, pasi është e katërta, drejtuesit e skuadrës po lëvizin shpejt sa u përket përforcimeve. Në skenë më herët kanë dalë emrat “big” të sulmuesit Redon Xhixha dhe portierit të Kombëtares, Etrit Berisha.
Për momentin duket se janë dëshira, pasi rrogozhinasit po e shohin me kujdes situatën, nëse ndonjëri prej tyre do të pranonte të luante në kampionatin shqiptar. Nëse ata pranojnë Superioren, kampionët në fuqi janë të parët që do t’i tentojnë, pasi ia lejojnë vetes të bëjnë një sforco financiare.