Elegancë, klas dhe një nuhatje të theksuar për golin. Janë këto disa nga karakteristikat e Fernando Torres, që pasi fitoi gjithçka në karrierën e tij ka vendosur të “varë këpucët në gozhdë”. Sulmuesi spanjoll ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga futbolli, pasi kaloi më shumë se 18 vjet në fushat e lojës, pjesë e disa prej skuadrave më të mëdha të Europës dhe sigurisht deri përpara pak vitesh shtyllë kryesore e kombëtares iberike. I rritur në skuadrat e moshave të Atletico Madrid, Torres debutoi në Segunda Liga kur ishte vetëm 15-vjeç. Me Atletico u ngjit në La Liga, duke u kthyer më pas në sulmuesin kryesor të ekipit.
Talenti i tij u kuptua shumë shpejt nga Liverpool, që në vitin 2007 shpenzoi 20 milion stërlina për kartonin e tij. Pikërisht me “Reds”, Torres dha më të mirën në karrierën e tij. Premier League u kthye në shtëpinë e “El Nino”, që më pas kaloi te Chelsea. Gjatë kësaj periudhe, ai triumfoi edhe me Spanjën, duke fituar Botërorin 2010 dhe Kampionatet Europianë në vitet 2008 dhe 2012.
Me kalimin e viteve, nisi edhe zbritja në karrierë. Në fillim një seri huazimeshm më pas rikthimi te Atletico Madrid dhe në fund transferimi në Japoni te Sagan Tosu. Aventura aziatike u kushtëzua nga dëmtimet e shumta që e kanë detyruar Fernando Torres të thotë mjaft.
(balkanweb)