Nga: FATMIRA NIKOLLI-TIRANE-Kryeministria hap dyert për publikun sot në orën 17:00. Në hollin protokollar të saj, çelet ekspozita “Këndvështrime”. 70-vjetori i Çlirimit vjen përmes artit pamor dhe instalacioneve, për të mbajtur gjallë kujtesën historike dhe për të folur në gjuhën e kulturën e së tashmes. Ekspozita ka dy kuratorë, artistin dhe drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani dhe artistin Fani Zguro. Sipas konceptit kuratorial, “Këndvështrime”, ka për qëllim të tregojë mbi të kaluarën dhe të tashmen dhe t’i flasë publikut përmes imazhesh dhe veprash, si mbi të vërtetën historike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe mbi evoluimin e gjuhës artistike dhe arteve pamore në dekadat që pasuan, por jo vetëm në Shqipëri. Ajo është konceptuar që në fillim për të funksionuar si dualizëm, si dialog intelektual. Një pjesë e saj, ajo me vepra të fondit të GKA-së, fokusohet tek ajo pjesë e artit pamor shqiptar e cila pasqyron luftën çlirimtare sipas këndvështrimit specifik në vitet që pasuan, deri në vitin 1990, duke lënë gjurmë që nuk u zhdukën (më pas, jo rrallë edhe u paragjykuan, por kjo është më se normale në historinë e artit), dhe që vite e dekada më pas mbeten në kontekstin historik dhe memorien artistike të një kombi. Kuratorët shënojnë se, sot, 70 vite më pas, mbeten dëshmitarë të kontekstit historik dhe shënjuan kujtesën artistike të një kombi, sepse arti është një formë komunikimi mes brezash, një dëshmi e lënë nga një brez për t’u njohur më pas nga të tjerët. “Çka prezantohet më tej përqendrohet tek vepra artistësh shqiptarë dhe të huaj krijuar pas vitit 1990. Ndërtuar si një mikrokozmos më heterogjen, me një arkitekturë më pak solide, me kombinime, kundërvënie e mbivendosje të papritura të cilat rezonojnë mes tyre në mënyra të tilla që [ne besojmë] s’e transformojnë përballjen e vizitorit me arenat dhe strukturat artistike për komunikim personal e kolektiv, kjo pjesë e ekspozitës paraqet mundësinë e njohjes me atë art që vërtet reflekton atë për të cilën shqiptarët luftuan në vitet ’40: lirinë e mirëfilltë larg çdo lloj forme shtypjeje dhe diktati, larg klishesë së jetuar dhe klishesë së kërkuar për inerci të klishesë së jetuar, shumë-shumë larg një jete dhe arti të orientuar dhunshëm pa hapësirë dialogu dhe distance, frymëmarrje, kundërshtimi dhe kundërvënie, esenciale për eksperienca unike të transmetuara fuqishëm sidomos nëpërmjet artit”, thuhet në konceptin kuratorial të Artan Shabanit e Fani Zguros. Sipas tyre, nëpërmjet një përballjeje stilesh dhe gjuhësh me veprat e pjesës së parë, publiku ka mundësinë të reflektojë mbi historinë, duke e parë bashkëjetesën e mediumeve dhe shprehive të ndryshme artistike si një materializim të idesë se këndvështrime dhe qëndrime specifike historike, artistike dhe intelektuale, mund të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit pa luftuar gjithmonë për dominancë monolite. “Veprat në këtë pjesë, ndoshta jo të gjitha të reja, por pak të ekspozuara, i japin mundësinë vizitorit që të vendoset në një pozicion unik për të vëzhguar raportet e marrëdhënieve njerëzore me historinë, nëpërmjet shprehisë artistike. Artistët që ekspozojnë në Kryeministri janë: Brigitte Zieger, Bruno Muzzolini, Dina Danish, Edi Hila, Egle Budvytyte, Erik Bunger, Erjet Muçollari, Ervin Dauti, Esme Valk, Esmeralda Dalipi, Ferhat Ozgur, Francisco Camacho, Gazmend Leka, Jakup Ferri, Kajsa Dahlberg, Lubjana Dashi, Miha Erman, Pablo Helguera, Shingo Yoshida, Steve Piçolo, Vladimir Myrtezai-Grosha, Yllka Gjollesha, ndërsa janë përfshirë edhe vepra nga Muzeu Aero Solar dhe vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ekspozita “Këndvështrime” do të jetë e hapur deri më 5 dhjetor.


(a.n/GSH/BalkanWeb)



Etiketa: