Dhjetëra qytetarë grekë, të afërm të ushtarëve të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo- greke udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të ditës së sotme.


Ceremonia e përvitshme përkujtimore në nder të kësaj dite festë kombëtare e Greqisë e njohur si Jo-ja greke (to megalo oxi) zhvendoset çdo vit edhe në Shqipëri, ku humbën jetën një numër i madh ushtarësh grekë gjatë luftimeve me forcat fashiste italiane. Në ceremoninë që nisi në Këlcyrë morën pjesë të afërm të të rënëve të ardhur nga Greqia, ndërsa më pas aktivitetet e organizuara ditën e Festës Kombëtare të Greqisë do të vijojnë në Bularat të Gjirokastrës ku janë vendosur kurora në varrezat e tjera të ushtarëve grekë.


Në këtë ceremoni ka pasur përfaqësues të nivelit të lartë shtetëror grek, zëvendës ministri i jashtëm grek Andonis Dhiamataris dhe Ambasadorja Sofia Filipidu. 573 eshtra të rënësh të ushtarëve grekë, të zbuluar në fushën e Sajmolës në Dragot, u varrosën në tetor 2018 në një ceremoni të veçantë në Manastirin e Këlcyrës pa praninë e familjarëve, çka nxiti pakënaqësinë e tyre. Më herët, 100 eshtra të zbuluara nga këto gërmime u varrosën në Bularat.


Në total u zbuluan gjatë këtyre gërmimeve 673 eshtra ushtarësh grekë të rënë gjatë luftës italo – greke edhe pse pretendimet e palës greke kanë qenë për një shifër disa herë më të lartë. Ceremonia e përvitshme organizohet çdo 28 tetor për të përkujtuar ditën kur kryeministri i kohës Joanis Metaksas i tha “Jo” ultimatumit të Italisë për të hyrë pa rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb