TIRANE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë takimit të fundvitit të zhvilluar me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias ka bërë një përmbledhje të vitit 2018.Guvernatori nënvizoi se komunikimi për një bankë qendrore konsiderohet një proces mjaft i rëndësishëm, ndaj materializimi i vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar, pa ndihmën dhe objektivitetin e medias do të ishte një mision i pamundur.

Sejko u shpreh mirënjohës ndaj medias për rolin konstruktiv në përcjelljen e lajmeve mbi ekonominë, financat, paranë, sistemin bankar, inflacionin, qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rreziqet ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia e vendit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko garantoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur, ku mediat mund të gjejnë në vazhdimësi një dritare të hapur komunikimi për gjithë spektrin e lajmit ekonomik dhe financiar, bashkëkohor, profesional dhe të paanshëm.Gjatë këtij aktiviteti, u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2018”.

Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb