Policia e Shtetit është vendosur në gatishmëri në kuadër të festave të nëntorit, 28 dhe 29 nëntor. Mësohet se të gjitha sheshet dhe rrugët që do të bllokohen për këto festa janë nën monitorim nga blutë.

NJOFTIMI I POLICISE
Policia e Shtetit/Në gatishmëri të përforcuar, nga mbrëmja e datës 25 nëntor deri më datë 30 nëntor. Masa të posaçme, në bashkëpunim me autoritetet vendore, për garantimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve që do të zhvillohen me rastin e festave të nëntorit. Nisur nga situata e krijuar mbrëmjen e datës 25 nëntor, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të Rendit, në akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t’iu shkuar në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje. Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë së Shtetit, përgjatë mbrëmjes së datës 25 nëntor, në shumë akse rrugore të vendit, iu kanë shkuar në ndihmë dhjetëra qytetarëve, të cilët u bllokuan si pasojë e reshjeve të mdhaja të dëborës, duke i evakuar me automjete të kalueshmërisë së lartë dhe duke i dërguar në destinacionet e tyre.

Gatishmëria dhe shërbimi i përforcuar do të vijojnë deri më datë 30 nëntor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të zhvillohen festime. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Rendit po bashkëpunojnë me policitë bashkiake, për monitorimin e rrugëve dhe shesheve që do të bllokohen për festime. Ndërkohë, Policia Kriminale ka rritur vigjilencën dhe po bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Gjithashtu, janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike që shkaktohet nga përdorimi i pakontrolluar dhe në cenim të parashikimeve të ligjit, i fishekzjarreve dhe lëndëve të tjera piroteknike, për qëllime festive.

Njëkohësisht, janë marra masa në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për krime kufitare. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimlaisht për të garantuar rendin dhe sigurinë. Për çdo rast paligjshmërie ose të nevojës për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose kontaktoni me punonjësit e Policisë, të cilët janë në rrugë, sheshe dhe kudo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: