Të miturit që vuajnë dënimin dhe të paraburgosurit në burgun e Kavajës i kanë lënë sot ambientet e këtij institucioni për të marrë pjesë në një event festiv të organizuar dhe konceptuar ndryshe nga Ministria e Drejtësisë.

Ky aktivitet festiv është organizuar në bashkëpunim me Teatrin Metropol, ndërsa të miturit kanë pasur mundësinë të takohen e të bisedojnë edhe me bashkëmoshatarë të tyre, aktivistë të shoqatave që punojnë për të drejtat e të fëmijëve.

Në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja e Drejtësisë është shprehur: “Pavarësisht atij gabimi që keni bërë ju meritoni që të qëndroni pranë shoqërisë. Është një gjë që ne do të duhet të fillojmë ta ushqejmë më shumë, jo vetëm për ju, por edhe për të gjithë fëmijët, për të gjithë të rinjtë për t’i ushqyer sa më shumë me frymën e teatrit, me frymën e bibliotekës, me frymën e librit, me frymën e të bukurës, me frymën e të mirës e cila do t’ju shërbejnë edhe juve kur t’i riktheheni përsëri shoqërisë”, – u shpreh ajo para të miturve.

Eventi ka nisur me një ekspozitë me punime pirografike të vetë të miturve dhe më pas ka vijuar me një shfaqjen teatrale “Romeo dhe Zhuljeta”, të vënë në skenë me mjeshtëri nga aktorët e teatrit të Metropolit.

Pikërisht krijimi i momenteve të tilla të gëzueshme, edukimi i këtyre të miturve me aktivitete, libra muzikë, por gjithashtu edhe ri-integrimi i tyre në komunitet duhet të jetë një nga sfidat e shoqërisë sonë këshilloi ministrja Gjonaj.

Në këtë drejtim ajo vuri në pah punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë, e cila në zbatim të Kodit të ri të Drejtësisë Penale për të Mitur, është duke nënshkruar marrëveshje me bashkitë e vendit, për të trajtuar në qendrat e tyre multifunksionale të miturit që janë në kontakt me ligjin.

Ndërkohë ministrja u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm do të hapen dy qendra të rëndësishme për të miturit. “Njëra është Qendra e Rehabilitimit të të Miturve ku, së bashku me Shërbimin e Provës do të hartohen të gjitha programet sociale për ata të mitur të cilët marrin një dënim penal nga gjykata dhe nga ana tjetër po ngremë një Qendër Multidisilinare në të cilën vetë fëmijët që janë në kontakt me organet e drejtësisë do kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre ditor, njësoj si të ishin pranë shoqërisë, pranë familjes së tyre”, sqaroi Ministrja Gjonaj.

Urimeve të saj si ministre dhe si nënë nuk i munguan fjalët e ngrohta për të miturit, me urimin për një vit të ri të mbarë duke shpresuar fort që ata do t’i kthehen shumë shpejt familjes dhe shoqërisë.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: