Festës madhështore të Baba Tomorrit me pjesëmarrjen e mbi 600.000 pelegrinëve në Malin e konsideruar të shenjtë nga besimtarët bektashinj kudo në Botë, iu bashkuan personalitete të rëndësishëm jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga politika turke dhe e Maqedonisë së Veriut. Në pelegrinazhin madhështor mori pjesë edhe kryetari i opozitës turke zoti Kemal Kılıçdaroğlu dhe kryetari i parlamentit se Maqedonisë së Veriut, Telat Xhaferri.

Mikpritësi i vizitorëve të veçantë ishte Baba Mondi i cili i shoqëroi në tempullin e shenjtë të Abaz Aliut ku të pranishmit kanë marrë shenjtërinë dhe i janë bashkuar lutjes së kryegjyshit botëror për mirësi e më shumë mbarësi.


“Falenderoj Zotin që e arritëm këtë ditë, dua të falenderoj të gjithë ata që e nderojnë Abaz Aliun. Falenderoj Presidentin e Republikës, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, ministrin, kryetarin e opozitës turke, po ashtu dhe Presidentin dhe vëllain tonë të News24, i cili nuk na ndahet, na jep forcë na jep mbështetje, për të arritur ato qëllimet tona dhe i lutet Zotit si ne për t’i plotësuar dëshirat dhe të eci sa më përpara për t’i ardhur në ndihmë të gjithë njerëzve se sa më i pasur të jesh aq më shumë u jep ndihmë njerëzve. Edhe në këtë rast Abaz Aliu na dhëntë bekimin e tij për vazhduar jetën tonë që është e mundimshme e me saktifica, këtë tregoi Abaz Aliu që me sakrifica dhe me gjak arrihet dhe fitorja.” u shpreh Kryegjyshi Botëror.


Presidenti i Hysenbelliu Group z.Irfan Hysenbelliu tha se feja i bashkon shqiptarët, ndërsa theksoi se kjo traditë dhe kjo festë unike duhet të ndiqet edhe nga brezat e ardhshëm.


“Është kënaqësi për mua që të jem këtu së bashku me Baba Mondin, që e kemi një idhull, pasues të fesë tonë. E cili e pason më shpirt dhe me zemër këtë festë, për ta festuar sa më shumë dhe kjo tregon që po ta shohim në vite, kjo rritet sa më tepër.  Njëkohësisht kënaqësia më e madhe është që shof që brezi i ri sa vjen edhe shtohet  dhe vjen sa më shumë dhe ka një besueshmëri më të madhe. Kënaqësi është që këtu marrin pjesë qoftë edhe nga politikat e ndryshme, të cilat nuk kanë të bëjnë dallim feje. Por feja na bashkon dhe zhvillimi I përbashkët për vendin në të cilin ne jetojmë. Ajo që është më e rëndësishme sot që kjo fe të vazhdojë sa mës humë dhe trashëgohet ndër breza dhe të rritet sa më tepër. Kjo është aryeja që kam ardhur së bashku me çunin tim në këtë festë që ai dhe  fëmijët e mi ta ndjekin brez pas brezi”-tha Irfan Hysenbelliu.

Djali i Presidentit “Hysenbelliu Group”, z. Fatmir Hysenbelliu tregoi përshtypjet e vizitës së parë në Malin e Tomorrit. Ai tha se ndihet i privilegjuar që iu bashkua për herë të parë kësaj feste madhështore.

“Për mua është hera e parë që vij këtu dhe është kënaqësi e madhe , midis Baba Mondit dhe babait tim. Dhe do vij vazhdimisht dhe do mbledhim miqtë tanë, familjarët të gjithë, të vijmë  sa më shpesh çdo vit këtu. Gëzuar!””- u shpreh djali i tij, Fatmir Hysenbelliu.

Vizitë të paharruar e ka cilësuar kryeopozitari turk vizitën në Malin e Shenjtë të Tomorrit.
“Për mua është më rëndësi që vizitoj sot një vend të shenjtë që ka një forcë shpirtërore. Bektashizimi në këtë zonë ka qindra vjet që e vazhdon traditën dhe rrugën e vet që ka nisur qysh nga fillimi. Tregon sa baza të forta dhe të thella ka bektashizmi si dhe afërsinë ndaj Zotit. Këtu vijnë më mijëra njerëz, bëjnë kurbanë, i drejtojnë lutje Zotit, pastrojnë shpirtrat e tyre. Unë jam shumë i lumtur që bëra këtë vizitë ku u mirëprita bujarisht. Të vizitosh një njeri shumë të lartë, një shenjtor në majë të malit është në të vërtetë shumë e çmuar. E di që këtu ka një problem në lidhje me rrugën për të mbërritur por unë besoj se ky problem do të zgjidhet së shpejti” tha ai.

Ministri i turizmit Klosi duke e cilësuar malin e Tomorrit të magjishëm tha se qeveria do të punojë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore.

Baba Mondi ka kryer ritualet e shenjta tek kurbanët që simbolizojnë flijimin për dashurinë e gjithë pelegrinëve dhe besimtarëve bektashinj në botë. Kryegjyshi më pas zhvilloi një tur në “Sofrën e Perëndisë” siç thotë legjenda dhe u përshendet me vizitorët e veçantë duke i ftuar sërish vitin tjetër në Malin e Tomorrit aty ku buron fuqia e pashtershme e komunitetit bektashi dhe e malit të shenjtëruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb