TIRANË

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, që gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” dhe News24, zbardhen edhe lidhjet e kreut të bandës së trafikut të drogës, Ilirjan Duçellari i njohur si “Lani”, me ish-zëvendësdrejtorin e Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisarin e Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokëlopa”.

Gazetarja Lala deklaron për “BalkanWeb” se janë të njëjtët të penduar të drejtësisë, Donjol Drolli dhe Mariglen Shusha, që kanë deklaruar se Ilirjan Duçellari kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Në dosjen e SPAK thuhet se Drolli e Shosha deklarojnë se Ilirjan Balla jepte garanci për pjesën tokësore të trafikut, pra për pjesën nga kultivimi, te magazinimi e deri në momentin që niseshin skafet nga brigjet e Vlorës. Sipas tyre, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës ka qëndruar në shtëpinë me qira, që paguhej nga Ducellari, bashkë me Sotën dhe të penduarin Shusha.

Sipas tyre, Balla ishte një ndër mbështetësit kryesor dhe garantonte çështjen e trafikut të drogës. Madje, në një moment, sqaron i penduari, Balla u transferua nga Policia e Vlorës në atë të Dibrës, duke bërë që të kishte dhe një lëkundje në aktivitetin kriminal.

Nga ana tjetër, në dosjen e SPAK zbulohet edhe roli i ish-nënkomisarit të Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte shuma të mëdha parash nga trafikantët.

Në dosjen e SPAK, mes të tjerash thuhej se me ndikimin e kreut të bandës “Lanit”, Festim Lelaj e fikte për një orë radarin, që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare, duke realizuar nisjen e mjetit me drogë.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se shtetasi Ilirjan Duçellari, për ushtrimin e trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kishte mbështetjen edhe të Zëvendësdrejtorit të Policisë Vlorë, Ilirjan Balla, si dhe të Oficerit të Policisë të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë, Festim Lelaj. Në këto rrethana të krijuara nga punonjës të policisë, Ilirjan Duçellari arrinte të garantonte një kalim të qetë të lëndës narkotike nga furgoni, me të cilin transportohej lënda narkotike në rrugë tokësore nga vendi ku ajo mbahej e fshehur për t’u ngarkuar në mjetin lundrues gomone dhe transportimin e saj nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë, me sigurinë që policia nuk do të tentonte ta bllokonte. Të gjitha veprimet e lidhura me transportimin tokësor të lëndës narkotike, me ngarkimin e saj në mjetin lundrues dhe trafikimin e saj, kryheshin në praninë e punonjësve të policisë të lartëpërmendur, të cilët garantonin kryerjen e trafikimit të lëndës narkotike për në Itali. Gjatë kësaj kohe, në sajë të lidhjeve që kishte me policinë drejtuesi i këtij grupi kriminal, “Lani” bënte të mundur fikjen për një orë të radarit që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare, duke realizuar nisjen e mjetit lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike në drejtim të Italisë dhe kthimin e tij bosh”, thuhet në dosje.

“Në kohën që ka ndodhur vepra penale, se bëhet fjalë për trafik droge të ndodhur në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokëlopa”. Sipas tyre, ai ishte një person që merrte para hapur nga trafikantët. Festim Lelaj ka një tjetër dënim mbi supe për përfshirjen në trafikun e 2.5 tonë droge drejt Italisë. Kjo është akuza e dytë zyrtare. Sipas të penduarve, ai merrte shuma të konsiderueshme parash, sipas të penduarve. Këta të fundit nxjerrin edhe emra të tjerë zyrtarësh të implikuar dhe flasim për të dhëna alarmante, se si zyrtarë të ndryshëm ishin të përfshirë në çështjet e trafikut të drogës, duke pranuar para nga trafikantët, që t’i linin ata të qetë për të trafikuar sasi të mëdha droge”, raporton gazetarja Lala, duke iu referuar dosjes së SPAK.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb