Festimet për ditëlindjen e 243-të të Shteteve të Bashkuara duken ndryshe këtë vit, ndërsa Presidenti Trump i dha atyre frymën ushtarake krahas ceremonisë tradicionale në Kapitol, ku ndodhet godina e Kongresit amerikan. Presidenti Trump po akuzohet për shndërrimin e festimeve normalisht jopolitike të 4 korrikut, në një aktivitet me tone politike.

Pamjet dhe tingujt e festimeve në Kapitol janë të mirënjohura për pothuajse çdo amerikan. Por këtë vit, në cepin tjetër të shëtitores kombëtare, po bëhen përgatitjet për një tjetër aktivitet, atë të Presidentit Donald Trump, të quajtur “Nderim për Amerikën”. “Kjo është mënyra amerikane, apo jo?! Duam të bëjmë diçka madhështore, diçka spektakolare”, thotë Phil Grucci, i firmës së fishekzjarreve “Grucci”.

Firma “Grucci” është një ndër dy kompanitë që kanë dhuruar fishekzjarre për këtë aktivitet, një kontribut që Presidenti e përmendi në Twitter. Ai ka premtuar se do të jenë festimet më të mëdha të organizuara ndonjëherë, ku do të ketë edhe parakalim tankesh. Kjo i ka shtyrë kritikët të thonë se presidenti po i jep frymë ushtarakenjë festë kombëtare jopartiake.

“Ajo çfarë do të shohim do të jetë një ditë ekstravagance politike e partiake, e paguar nga taksapaguesit amerikanë, në epiqendër të së cilës do të jetë Donald Trump-i. Kjo është hera e parë që një president amerikan e orienton 4 Korrikun për qëllimet e veta”, thotë përfaqësuesja demokrate e Distriktit të Kolumbias, Eleanor Holmes Norton.

Ligjvënësja Norton thotë se qyteti pret që qeveria federale të paguajë koston për dëmet që do t’u shkaktohen rrugëve nga tanket ushtarake dhe makineritë e tjera të rënda të sjella në qytet për aktivitetin e Presidentit, i cili ka urdhëruar sjelljen e bombarduesve, tankeve dhe paisjeve të rënda luftarake. Megjithatë, disa thonë se nuk i shqetëson kjo gjë.

“Jam krenar dhe mirënjohës për ushtarakët që i shërbejnë vendit tonë dhe vlerësoj vërtet sakrificën e tyre dhe të familjeve të tyre. I jam gjithashtu mirënjohës Presidentit që po e vlerëson dhe kremton këtë gjë”, thotë Brent Hoban, i cili po viziton Uashingtonin.

Sidoqoftë disa prej anëtarëve demokratë të Kongresit u shqetësuan prej njoftimeve se shpenzimet do të përballoheshin nga fondet e Departamentit Kombëtar të Parqeve, ndërsa ata mendojnë se ky do të jetë një aktivitete politik për Presidentin. Ndërsa, bëri një përmbledhje të fjalimit që do të mbajë Presidenti, këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway i kërkoi gazetarëve që pyetjet për koston t’ja drejtojnë Departamentit të Mbrojtjes.

“Është për demokracinë tonë të mrekullueshme. Është edhe një thirrje e madhe për patriotizëm. Ka të bëjë me hapjen e kaq shumë vendeve të reja të punës nga kjo admnistratë, dhe për gjithçka kemi bërë për veteranët”, tha zonja Conway. Tradicionalisht, festimet për 4 korrikun nuk i mëshojnë aspektit ushtarak dhe kritikët po e akuzojnë Presidentin se po e shfrytëzon ushtrinë amerikane për të fituar përkrahje politike. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb