Nga: SOKOL ÇUNGA *GJIROKASTER-Sikundër është lajmëruar gjerësisht nga të gjitha mje tet e informimit publik në Shqipëri, më datë 16 maj të këtij viti përfundoi ritualin Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës. Gjatë shtatë ditëve dhe netëve të festivalit, në këtë veprimtari që zhvillohet një herë në 5 vite, morën pjesë si konkurrues 1,700 artistë, pasuar prej rreth 100 interpretuesve të ftuar nga shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve administrativë të vendit, si dhe nga rreth 15 të ftuar specialë. Kushdo që ndodhej ato ditë në Gjirokastër, pa dhe shijoi atmosferën elektrizuese të aktiviteteve kulturore gjatë ditës, të ekspozitave, panaireve, interpretimeve në skenën e hapur, të cilat kurorëzoheshin çdo natë me performancat e konkurrentëve në skenën kryesore të festivalit, në Kalanë e Argjirosë. Pikërisht atje, tek sheshi para asaj skene, filloi shqetësimi ynë: zëri, tingulli. Do të merremi me këtë pikë, pasi kemi vënë re se fare pak është cekur kjo çështje publikisht, me përjashtim të një rasti (“Gazeta Shqiptare”, dt. 19.05.2015 18). Siç parashikohet nga Statusi i FFKGJ, siç u komunikua nga organizatorët e festivalit dhe nga Ministria e Kulturës, performancat e grupeve konkurruese në festival dhe e të ftuarve specialë u kryen drejtpërdrejt (live).

Me të vetmin përjashtim, një dukuri të vogël sa një plesht: cilësia e teknikës së zërit. Për këdo që ndodhej në sheshin e festivalit ishte lehtësisht e dallueshme shkëputja e përsëritur e zërit të këngëtarëve dhe e instrumenteve, luhatja e zërit, fishkëllima veshvrasëse dhe qejfvrasëse e mikrofonave. Pasi ndoqëm maksimumin e performancave që mund të ndjekë një njeri gjatë një mbrëmjeje (mesatarisht, 3 grupe me nga 30 minuta performancë dhe 1 apo 2 grupe përshëndetës, pothuaj 4 orë program), vumë re se asnjë këngë, asnjë pjesë instrumentale, asnjë valle e shoqëruar me instrumente nuk shpëtoi pa i pësuar këto kusure teknike. Më tej, syri kapte instrumentistë që, tek luanin solo, nuk dëgjoheshin, këngëtarë që nisnin këngën dhe vargu i parë humbiste, teksa skena ngjante si film pa zë, kore që këndonin të palidhura me orkestrën në ritëm dhe intonacion. Ndërkohë, për të mbushur me zë sheshin e madh, në mangësi të pajisjes së hapësirës me altoparlantë (vetëm dy syresh ishin vendosur në dy anët e vendit të parashikuar për publikun), teknika ngrinte volumin përmbi aftësinë e veshit për të dëgjuar dhe shijuar muzikë, duke krijuar një zhurmë banale prej tollovie dhe tallavaje të vjetruar folklorike në kuptimin e keq të fjalës. Sigurisht, një furtunë që vonoi fillimin e ditës së parë, nuk është përgjegjësi e organizimit dhe e teknikës, as era që frynte çdo mbrëmje, por një plan i dytë veprimi, ndoshta po. Sa e madhe është rëndësia e këtij “pleshti” teknik? Le të mendojmë… Bëhet fjalë për manifestimin më të madh të trashëgimisë kulturore, ku mblidhet bashkë kostumografia, koreografia, muzika instrumentale- folklorike, disa lloje të muzikës vokale. Po të bëjmë një llogari të përgjithshme, shumica e pjesëmarrësve u paraqitën me numra të tillë që, në thelb kanë tingullin, zërin. Kur ky tingull, zë, nuk përcillet i plotë dhe mjeshtërisht, deformohet. Jo thjesht zëri, në këtë rast, por deformohet trashëgimia kulturore kombëtare, në masë të madhe dhe të pariparueshme, duke shtuar edhe faktin që të gjitha konkurrimet u transmetuan të regjistruara në TVSH.

Pas fyerjes që i bëhet traditës, vijnë ata që janë bartësit e traditës, instrumentistët dhe këngëtarët. Teksa këta individë janë thelbi i festivalit, janë arsyeja e qenësishme e këtij festivali, janë ata që pësojnë të parët dëmin e d r e j t p ë r d r e j t moral dhe artistik: është muzika e tyre, zëri i tyre që deformohet. Dhe, pas këtyre, tjetri grup që fyhet është publiku që e ndoqi festivalin në shesh, që shkoi enkas për të marrë pjesë në panairin e traditës dhe të kulturës… dhe gjeti zhurmën…. Festivali Folklorik, me karakter konkursi, parashikon edhe akordimin e çmimeve, sipas kritereve të paracaktuara artistike në statutin e tij. Në këtë edicion juria shpërndau në total 52 çmime, shumica e të cilëve u dhanë për interpretues të muzikës. Dhe këtu s’mund të mos na lindë pyetja: po juria, e vendosur përballë skenës, në shesh të Kalasë, si arrinte të dëgjonte muzikën, këngën, tekstet? Sa objektiv është vlerësimi i asaj jurie, me çfarë morali njerëzor (nuk po vendos atë profesional, meqenëse autori nuk është profesionist) bëjnë sikur dëgjojnë dhe sikur kuptojë? Çudira! Dhe askush nuk flet publikisht, përkundrazi, të gjithë heshtin publikisht! Ku është kërkesa për nivel artistik, ku është nderi dhe respekti për traditën dhe artistin e traditës, ku është profesionalizmi dhe serioziteti? U thirrën në FFKGJ rreth 1,800 artistë. U thirrën që të turpërohen faqeza në më të madhin manifestim të traditës dhe kulturës autentike shqiptare, duke ua mbyllur gojën apo duke i detyruar të belbëzojnë.

Diku, natën e fundit, këndoi si përshëndetës edhe rapsodi 105- vjeçar Gjok Nonaj, emri dhe mosha e të cilit u lakua plot herë me respekt dhe elegancë gjatë gjithë fushatës promocionale të festivalit. Përkundër asaj që kishte ndodhur deri atë natë, njëri prej këngëtarëve shoqërues të rapsodit, në fillim të performancës shqiptoi qartë se nuk dëgjonte, se donte zë, kurse në fund kritikoi hapur organizatorët për këtë mungesë teknike. Aty për aty nuk pati asnjë reagim. Më vonë, siç nuk ishte e udhës dhe etike, TVSH e retushoi (apo e censuroi?) këtë kritikë në ritransmetimin e natës përmbyllëse të festivalit një ditë më pas. Vallë, në ç’kohëra jetojmë? Në mbyllje, duam të shtojmë se ky shkrim nuk ka qëllim të linçojë institucione apo individë. Është shprehje e mbresave krejtësisht personale, të përftuara atyre netëve ulur në sheshin e festivalit, në Kala të Gjirokastrës, ofruar si kritikë konstruktive. Sjellja e modelit guarda e passa, apo, siç themi shpesh e më shpesh: “hajt, mo, se Shqypni hesapi”, vret jo vetëm kulturën në çdo nivel, por edhe shpirtin e publikut që e shijon atë. Publiku meriton po atë sinqeritet, vërtetësi dhe mirëbesim që tregon kur ulet në ndenjëse për të ndjekur shfaqjen. *Arkivist, AQSHF

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: