Nuk pata kohë të hedh ndonjë shënim pas ndjekjes së pjesshme të këngëve në Festivalin 62… Për “nostalgji të afërt” po riprodhoj me endje shkrimin që publikova për atë të vjetshmin, paraardhësin…

FESTIVALI 61, QË LAMË PAS

Është kënaqësi të vëresh se kjo ngjarje e përvitshme kulturore vazhdon të mbetet e mirëpritur e ndjekur dhe për ca kohë pas saj bëhet temë e rëndësishme, me komente dhe debate të ndezura.

Dhe nuk mund të rrish pa u futur në to, sikurse po bëj dhe unë. Njerëz si unë kanë përparësinë t’i kenë ndjekur festivalet që nga i pari fare, dhe kanë përvijuar të shohin dhe historitë dramatike të disave prej tyre, si, fjala vjen, i Njëmbëdhjeti, që zuri kryet e vendit, u përfol në tryeza të rënda dhe në jehona plenumesh e paskëtaj, pati ndëshkime famëkeqe artistësh të shquar, këngëtarë, kompozitorë, poetë, aktorë e tjerë. Ka rrjedhur shumë ujë që atëherë. Sot, ndryshimet më të dukshme së pari t’i sheh syri: rekuizita teknike, dekoret, kostumet daç ato që vishen e daç ato që zhvishen. Të befasojnë efektet e ndriçimit, numri i dirigjentëve, të huaj dhe të vendit, italianët e ftuar në ndihmë të përgatitësve vendas dhe plot detaje të tjerë që nuk po i numëroj.

Por ky komenti im ka të bëjë më shumë me produktin e festivalit, që janë këngët, ndër të cilat unë gjeta fare pak kënaqësi për shijet e mia. Nuk do të rri pa shfaqur përshtypjen time të mirë për drejtuesen artistike, e cila i administroi mirë që të katra netët. Por festivali vuante nga diletantizmi i tepruar në lëndën e krijimtarisë. Thuajse të gjithë këngëtarët ishin edhe autorë të këngëve që do të këndonin. Ata kishin sjellë jo vetëm motivin muzikor, por edhe tekstet që për fat të keq, në përqindjen më të madhe, nuk u artikuluan kthjellët dhe nuk u dëgjuan qartë. Pra vuajtjet dashurore, dhe mesazhet poetikë, mund t’i lexoje më së shumti në fytyrat (me sy të mbyllur!) të artistëve dhe jo në ligjërimet.

Shëmbulli më tipik ishte kënga fituese, nga e cila erdhën a s’erdhën dot në veshët tanë dy tri fjalë të shkëputura që nuk ndihmonin përcjelljen e ndjenjave.

Këngën si gjini arti, unë e kam parë më së shumti si sinonim të gëzimit, haresë, lumturisë. Prandaj themi “këndoj”! Rrallë here e kemi parë edhe si shfaqje të pikëllimit, pezmit apo revoltës. Kam përshtypjen se dominanca tani ka kaluar në të kundërt. Këndojnë të dashuruarit e tradhtuar, të ndarët, të braktisurit, të vuajturit. Kësisoj nuk ka kuptim as verbi “këndoj”!…

Në festivalin e Gjashtëdhjetenjëtë, do të ishte plotësisht e përligjur edhe sikur këngët të anunçoheshin kësisoj: “Këngën ‘Ja, të gjeta moj thëllëzë’ del para jush që ta vajtojë, Arben… ”

Apo: “Titulli këngës është: ‘Lule më lule!’ Këtë këngë të bukur, vjen ta vuajë për ju…”

Apo “Para jush del dhe do të mbyllë sytë për ta kënduar këngëtarja jonë…”

Apo “Këngën që sapo përmendëm do ta sokëllijë për ju…”

“Në duetin që pason, vijnë të klithin symbyllur sëbashku…”

Kërkoj ndjesë për përshtypjet e mia të pakëndëshme, me të cilat i mbyll këto vërejtje e, natyrisht, duke menduar se do të pranohen nga ju, se sinqerisht ato bëhen nga një dashamirës i zjarrtë i këngës shqipe…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: