Festivali i Filmit i Venecias ka ulur siparin, ndërsa Luani i Artë i shkoi filmit “Joker”, me aktor protagonist Joaquin Phoenix. Regjisori Todd Phillips i ka vendosur ngjarjet në fillim të viteve ’80 dhe zbulon se si një kloun i varfër e i sëmurë mendor i bashkohet botës së krimit.

Filmi “Joker”, me aktor protagonist Joaquin Phoenix, fitoi Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venecias. Të shtunën e kaluar, kur filmi u shfaq premierë në qytetin italian mori një duartrokitje tetë minuta të gjatë.

I drejtuar nga regjisori Todd Phillips, filmi zbulon përvojën e klounit të varfër e të sëmurë mendor Arthur Fleck, që vjen nga universi i Batmanit dhe i qaset botës së krimit. Ngjarjet e filmit janë vendosur në fillim të viteve ‘80 në qytetin Gotham.

Në veprën kinematografike luajnë gjithashtu Robert de Niro dhe Zazie Beetz.

Kritika e ka vlerësuar maksimalisht lojën e aktorit protagonist, ndërsa shumë parashikojnë se Phoenix do të jetë edhe fitues i çmimit Oscar.

Ndërkohë Çmimi i Madh i Jurisë dhe Luani i Argjendtë i shkoi bashkëprodhimit franko-italian të regjisorit Roman Polanski, “J’Accuse”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb