Pas komentit të bërë nga Mustafa Nano që e quajti faraonik promovimin e librit “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë Mbret”, reagon autori i tij, Blendi Fevziu. Në një koment për gazetën “Panorama” ai shkruan se “Për fatin e keq, kontestimi i librit ka ardhur kryesisht nga ta që nuk e kanë lexuar atë. Në këtë rast mund të thuhet thjesht se nuk ka qenë kontestim, por paragjykim”.
BLENDI FEVZIU
Promovimi i librit “Ahmet Zogu” në fillim të dhjetorit shërbeu, siç po duket, për
të hapur një debat që shkon përtej promovimit në vetvete, librit konkret dhe cilësisë së tij. Një debat që fokusohet te hierarkia e vlerave, elitat, roli i mediave dhe mbi të gjitha, roli i librit në shoqërinë shqiptare. Një debat në të cilin janë përfshirë deri tani Mustafa Nano, Albatros Rexhaj apo Ardian Vehbiu. Debat interesant dhe i vlefshëm, provokimi i të cilit vlen të merret edhe si shembull i suksesit të vetë promovimit. Nuk kam dashur të përfshihem në këtë debat nisur nga fakti që jam autor i librit, organizator i promovimit dhe njeri që ka një qasje publike të rregullt dhe të mjaftueshme në ekran. Por u detyrova të ndërhyj për të dhënë një opinion në dy rrafshe, e para në atë të hierarkisë së vlerave në shoqërinë shqiptare (kryesisht të librit dhe mediatike) dhe e dyta, për të sqaruar disa detaje që me sa duket asnjë nga artikullshkruesit s’i ka vënë re ose s’ka qenë i informuar. E para, do të kisha dashur që libri të hapte një debat publik lidhur me cilësinë dhe përmbajtjen e tij. Vlerësimet në fakt nuk kanë munguar. Agron Gjekmarkaj, Ndriçim Kulla, Albatros Rexhaj kanë botuar disa artikuj interesantë. Ismail Kadare ka bërë një vlerësim të rëndësishëm. Juria e Çmimit “At Zef Pllumi”, ndoshta çmimi më serioz sot në Shqipëri, e përbërë nga njerëz që e kanë raportin me letërsinë mbi bazën e vlerave dhe jo reklamimit, i dha librit çmimin për publicistikën. Nuk besoj se Mark Marku, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj, Bardhyl Londo apo Alma Mile, njerëz që jetojnë me librin, do të jepnin një çmim jashtë bindjes së tyre estetike. Për fatin e keq, kontestimi i librit ka ardhur kryesisht nga ta që nuk e kanë lexuar atë. Në këtë rast mund
të thuhet thjesht se nuk ka qenë kontestim, por paragjykim. Bashkohem këtu me Vehbiun që, mungesa e kritikës serioze nuk është thjesht një mungesë por një shkatërrim i vlerave të shoqërisë. Personalisht do të kisha qenë i interesuar që vetë Vehbiu ta kishte lexuar librin. Po ashtu Mustafa Nano. Kritika reale mbi veprën do kishte qenë një kontribut për shoqërinë më shumë sesa ankesa për vlerat e përmbysura të po kësaj shoqërie. Dhe për fatin e keq, paragjykimi dhe jo vlerësimi (pozitiv apo negativ qoftë ai) po bëhen norma të shoqërisë sonë. Kjo po ndodh jo vetëm te libri, por në çdo debat publik të shëndoshë, duke e tharë atë që në rrënjë. Këtu, Albatros Rexhaj ka të drejtë. Shoqëria e ka humbur thelbin e debatit dhe të konkurrimit të ideve sepse protagonistët e tij, më shumë merrem me arsyen e debatit sesa me tezat. Më shumë tentojnë të kuptojnë se përse dikush po e ngre këtë tezë, cilat janë arsyet, kush e shtyn dhe jo sesa të vërteta dhe të qenësishme janë problemet që ngrihen. Për këtë arsye debati përfundon në akuza personale dhe jo në përballje të ideve. Kjo gjendje tipike e shoqërive të izoluara bëhet edhe më dramatike, kur mendon që pothuajse asnjë nga intelektualët shqiptarë të sotëm nuk ka përmasa ndërkombëtare. Ata pak që kanë pasur sukses të njohur përtej kufijve,
kryesisht nuk janë produkt i shoqërisë këtu. Rasti i Ben Blushit që fitoi një çmim të rëndësishëm europian, një çmim që ka si synim promovimin e vlerave të Europës post­komuniste dhe që u la thuajse në harresë në Shqipëri, është rasti më i mirë për të dëshmuar se paragjykimi i këtushëm është në kontradiktë më vlerësimin që vjen nga institucione më të specializuara. Ndaj për ta mbyllur, unë mendoj se paragjykimi është fenomeni që krijon skema më të thjeshta, më ngjitëse e si pasojë më dramatike për hierarkinë e vlerave të shoqërisë shqiptare sot! Problemi i dytë është ai i reklamës dhe roli që luan ajo. Natyrisht, një person që ka mundësinë e reklamimit dhe të përdorimit të saj, zotëron një armë që sot ka mjaft vlerë në gjithë botën. Beteja e reklamimit është një betejë që po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar dhe dominuese, por asnjëherë ajo nuk është vendimtare. Reklama nuk prodhon gjithnjë sukses. Në këto vite, ka pasur mjaft gazetarë televizivë në Shqipëri, që e kanë provuar reklamën për librat e tyre, përfshi Musatafa Nanon. Asnjëherë ajo nuk ka dhënë të njëjtin efekt. Madje ka pasur libra gazetarësh me shumë reklamë që nuk janë shitur thuajse fare. Brenda vetë librave të mi, reklama nuk ka pasur të njëjtin efekt. Rrafshimi i titullit me imazhin televiziv do ishte aksiomë në këtë rast për të gjitha botimet, por nuk ndodh kështu. Për librin “Hiri i vullkanit” apo “Piedestale pa statuja” ka pasur po kaq ose më shumë reklamë sesa për librin “Enver Hoxha” apo “Ahmet Zogu”. Por asnjë prej të dyve nuk ka pasur as shitjen dhe as suksesin e dy librave të fundit. Apo të librit “100 vjet”. Pra reklama e orienton, por nuk
është çelësi magjik që e dikton lexuesin verbazi. Reklama nuk mund ta përmbysë hierarkinë e vlerave. Ndryshe, shoqëritë demokratike që e përdorin atë më shumë se kushdo do ta kishin të gjymtuar sistemin e vlerave. Të besosh se reklama është magjike, do të thotë ta mendosh shoqërinë si një turmë pa vlerë dhe pa mendim. Asnjë produkt i keq nuk mund të shitet me një reklamë të mirë, ose së paku nuk mund të shitet dy herë. Një lexues që ka marrë një libër të keq si pasojë e besimit te reklama, nuk do kthehet më kurrë të marrë një tjetër libër të atij autori. Rikthehet veç kur krijon një raport besimi me të. Pa dyshim, hierarkia e vlerave mund të përdhoset përkohësisht, por s’ka asnjë shans që ajo të ekzistojë si e tillë. Pra e përmbysur. Një hierarki e përmbysur mund të imponohet vetëm në kushtet e mungesës së lirisë dhe sistemet totalitare kanë prodhuar plot të tilla. Shqipëria komuniste është
shembulli më i mirë për këtë. Për fatin e keq, kjo hierarki e përmbysur vijon
të funksionojë ende disa kohë, kryesisht në kulturën dhe mënyrën e të
menduarit të atyre që janë edukuar nën diktaturë. Dhe që jetojnë ende
me klishetë e saj. Duke shtypur fort të rinjtë dhe ata që kanë një qasje më
moderne ndaj shoqërisë së sotme dhe asaj të së ardhmes. Por në një sistem
të lirë, hierarkia mund të deformohet përkohësisht, por asnjëherë përgjithmonë. Mund të ketë aksidente, por jo një gjendje permanente aksidentale. Përmbysja e hierarkisë së vlerave është justifikimi më i mirë për ata që nuk e përballojnë dot konkurrencën. Albatros Rexhaj p.sh shiti mjaft libra në panair edhe pse nuk pati atë që janë mësuar ta quajnë reklamë televizive. Ai diti të përdorë në mënyrë magjike rrjetet dhe mediat sociale që sot, më shumë se sa si vlerë e përmbysur, shërbejnë si hapësirë lirie mediatike. Ben Blushi, Ilir Ikonomi, Preç Zogaj po ashtu patën një sukses pa pasur ndonjë reklamë mbresëlënëse, madje shumë më minore sesa gazetarë të tjerë që promovonin librat e tyre nëpër ekrane. Nuk po sjell rastin e Kadaresë, i cili mbetet jashtë këtij diskutimi si shqiptari i vetëm që ka konkuistuar tregun global të letërsisë.

(Titulli redaksional. Titulli i autorit: “Kush e mban peng hierarkinë
e vlerave”)
MUSTAFA NANO: FEVZIU, PROMOVIM FARAONIK
Promovimit të librit të gazetarit Blendi Fevziu, “Ahmet Zogu. Presidenti që u
bë Mbret”, në ambientet e Pallatit të Brigadave, Mustafa Nano i kushtoi dy
shkrime. Në njërin syresh, atë me titull “Admirimi për ata që dinë të prodhojnë
lajm”, ndër të tjera shkruan: “Promovimi faraonik i Fevziut u shit si lajmi më i
rëndësishëm kombëtar për atë ditë. Dhe në njëfarë mënyre e gjithë kjo e kish në dukje një logjikë. Atje ishte i gjithë establishmenti politik, kulturor, ekonomik. Dini ju ndonjë ngjarje tjetër, ku bëhen tok Presidenti i Republikës, kreu i qeverisë dhe i maxhorancës, kreu i Parlamentit dhe kreu i opozitës? Me siguri nuk dini, por ja, atë mbrëmje në Pallatin e Brigadave ishin që të gjithë. Në këto rrethana, mendja të thoshte se përurimi i librit të Fevziut (sepse lajmi ky ishte: përurimi i librit të Fevziut) kish arsye të jepej, dhe në fakt u dha, si lajm i parë në edicionet informative të televizioneve shqiptare. Por a ishte publikimi i librit të Fevziut një ngjarje që meritonte këtë vëmendje? Unë nuk e kam lexuar, por edhe sikur në të të flitet për ndonjë revelacion të ri, edhe sikur në të të flitet për ndonjë takim1/6/2015 Fevziu i përgjigjet Mustafa Nanos për “Zogun”: Librin nuk e shet reklama, nuk e ke lexuar që Fevziu ka pasur me Zotin në majë të malit të Dajtit, nga i cili vetë Fevziu ka zbritur më pas si Moisiu prej Sinait dhe ka shpallur a New Book of the Covenant, interesi do të ishte më i vogël”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb