Nga Erjon Skendaj

TIRANË- Pas dosjes “Habilaj” dhe tërmetit që prodhoi në Shqipëri hetimi katër vjeçar i prokurorisë italiane ku implikohet edhe ish-ministri Tahiri, të tjera skandale do të dalin në dritë shumë shpejt sipas gazetarit Blendi Fevziu. Drejtuesi i mirënjohur i emisionit “Opinion” ka qenë i ftuar në forumin e hapur organizuar nga UET ku ka folur për ekzistencën e një fotoje të shkëputur nga një video survejimi që implikon hapur një nga ministrat e kabinetit “Rama” i cili shfaqet i ulur në një tryezë me Habilajt gjatë fushatës elektorale.

bblendi

Në përgjigje të interesit të auditorit për video-përgjimet, Fevziu ka zbardhur një bisedë të bërë me një prokuror nga Holanda që po heton krimin e organizuar në Shqipëri dhe shtrirjen e tij deri në Holandë.

Fevziu thotë se ky prokuror ka dokumentuar të njëjtët banditë që në Holandë lëvizin me metro dhe tren për të mos rënë në sy, në Shqipëri qarkullojnë me automjete të shtrenjta 150-200 mijë euro dhe më skandalozja janë fotografuar teksa nderohen me dorë nga policia rrugore.

Ajo që mund të duket batutë për moderatorin e njohur është realitet teksa thotë se politika e seksi në Shqipëri nuk ngjallin më interes për publikun shqiptar, pasi së fundi të gjithë i ka kapluar telenovela “Tahiri- Habilaj” që ka ia kalon për nga shikueshmëria edhe telenovelave indiane.

I mirënjohur edhe si publicist i profilit gazetaresk dhe materialeve historiografike Fevziu thotë se është drejt fundit libri i tij më i ri që i kushtohet luftës së Kosovës dhe udhëheqësit të saj Hashim Thaçi që do të dal në librari në shkurt të 2018.

Ju pak ditë më parë paralajmëronit se do të dalin në publik fakte tronditëse. Presim një skenar si ai që pamë në Maqedoni me përgjimet?
Ajo që unë di, sepse nuk mund t’i di të gjitha, por referuar disa informacioneve të marra nga kontakte personale, nuk di ta them nëse jemi në fazë të ngjashme me Maqedoninë, pra me historinë e përgjimeve që iu vunë në dispozicion Zaevit e që solli rrëzimin e Gruevskit. E vetmja gjë që ishte befasuese ishte fakti që perceptimi ynë për Gruevskin ishte për një njeri të fortë, të parrëzueshëm.

Kjo rezultoi false, të gjithë ne dështuam me perceptimin tonë. Zgjedhjet në Maqedoni treguan se Gruevski ishte një makinë elektorale pushteti dhe institucionesh, sepse iku nga pushteti, vetëm në pak muaj, ai pësoi një fjasko elektorale të paimagjinueshme. Kjo tregon se kemi të bëjmë me disa parti politike të kapura nga disa struktura shtetërore dhe funksionojnë si të tilla. Nga informacionet që kam, nuk më rezulton që Shqipëria të jetë në këtë stad, pra që shërbime të specializuara të jenë kaq të mbushura në Shqipëri, sa që të tentojnë të shkojnë drejt këtij skenari.

Por mund të jem dhe i gabuar. Po flas vetëm për informacionet e mia personale. Ajo që mua më rezulton është një problem që është bërë evident në këtë një vit e gjysmë, por sidomos nga mesi i majit e këtej kanë qenë shumë aktive disa institucione ligjvënëse, jo vetëm të shërbimeve të inteligjencës, por dhe të Ushtrisë, dhe të prokurorive të disa vendeve të BE-së, të cilët kanë një problem shqetësues, që nuk kanë mendim të njëjtë me politikën. Por nëse ministrat e jashtëm të këtyre vendeve kanë një qëndrim më të butë ndaj Shqipërisë, institucionet ligjvënëse kanë një qëndrim më radikal.

Ata mendojnë se krimi i organizuar po bëhet kërcënues në Shqipëri dhe këtë gjë kanë tentuar ta thonë përmes politikës dhe kur aty nuk ka funksionuar, e kanë thënë përmes mediave. Në informacionin tim, disa gazetarë të njohur në vend kanë pasur takime shumë interesante me përfaqësues ligjvënës të vendeve të BE-së.

Ata kanë ardhur për të bërë hetime në Shqipëri dhe ata konsiderojnë se në Shqipëri krimi i organizuar ka mbështetje të fortë politike. Që dy nga qytetet kryesore të Shqipërisë janë krejtësisht nën kontrollin e bandave dhe, mbi të gjitha, dhe kjo është shqetësuese, është se krimi është kthyer në një sfidë ndaj qytetarëve. Pra një person i njërës prej prokurorive federale të vendeve të BEsë më tha se po këta keqbërës që ne kemi ardhur dhe i kemi ndjekur këtu, jetojnë edhe në vendin tim, por atje udhëtojnë me metro, ose me transport publik që të mos bien në sy.

Ndërsa këtu qarkullojnë me makina nga 150-200 mijë euro dhe i kishin fotografuar duke i nderuar polici rrugor. Pra, polici rrugor nderon një bandit apo një kriminel që është në kërkim në Holandë. Kjo është një gjë e patolerueshme. Videoja e Elbasanit është po ashtu e patolerueshme për një pjesë të madhe të vendeve të BE-së, sepse tregonte paaftësinë e Policisë. Po qarkullojnë një seri materialesh, një pjesë e të cilave janë shumë të rënda dhe serioze. A do publikohen të gjitha, këtë nuk e di.

Po ti kisha pasur, unë do t’i kisha publikuar të gjitha. Natyrisht që ka shumë faktorë që i mbajnë, por një gjë është e sigurt, që stinë të qetë nuk do të ketë. A do mbetet në problemet me krimin, a do mbetet te lidhjet me kriminelët, a do mbetet te problemet e korrupsionit, a do shkojë më tej? Por gjithsesi pritet të fillojë vetingu brenda dy javësh, pritet që edhe ajo të lëvizë diçka, pritet që të ketë një reaksion dhe ndaj krimit, sepse presioni ndërkombëtar është shumë i fortë dhe shteti do të detyrohet të lëvizë. Por, nga ana tjetër, një pjese të njerëzve me pushtet që kanë lidhje të forta me krimin pritet t’u publikohen lidhjet.

Se çfarë do të ndodhi, unë nuk mund t’ua them këtë. Por unë dyshoj se situata do të shkojë si ajo e Maqedonisë, më duket ende herët. Kam përshtypjen se ndërkombëtarët ende po shohin që politikisht nuk duan të turbullojnë gjë për momentin.

Ju thoni se do të ketë një stinë jo të qetë, sipas informacioneve që ju keni, keni thënë se keni parë një video, në këtë stinë përfshihen edhe zyrtarë të PD-së, apo vetëm ata të qeverisë Rama?

Nuk e di se çfarë përfshin. Nuk kam folur për një video të një kryebashkiaku, por kam folur për një foto të një kryebashkiaku, foto të një ministri të qeverisë me pjesëtarë të familjes Habilaj, foto të cilën e kam parë vetë, por nuk kam pasur mundësi ta publikoj sepse personat që e kanë në dispozicion nuk kanë vendosur akoma ta publikojnë. Por nuk mund të them për përgjegjësinë e ministrit në fjalë, sepse duhet parë në çfarë rrethanash kanë qenë.

Fotoja është bërë në grup, një drekë apo darkë elektorale, në një restorant të Vlorës. Kjo edhe mund të publikohet, siç mund të publikohen përgjimet e një të afërmi të një ministri që janë parë dhe dëgjuar nga një numër i madh gazetarësh. Ka një të vërtetë që fotoja e ministrit është marrë nga filmime nga kamerat e sigurisë së restorantit. Reagimet që do lidhen me korrupsionin, nuk do të kenë ngjyrë politike, pra do shtrihen sa nga qeveria aktuale, ashtu edhe nga opozita.

Se kë parashikojnë, se ku do të shkojmë, këtë nuk e di. Por këtë e kam informacion, që hetimi do të shtrijë të gjithë fashën politike, për të treguar se nuk është pjesë e luftës politike, por pjesë e një hetimi. Se kur do të vijë, kjo do të lidhet me SPAK-un.

A i jep kosto qeverisë Rama? Pa dyshim që po. Po e them sot që është një rast unikal, ka ndodhur edhe në vitin 2001 për arsye të tjera, që një maxhorancë del me 74 vota, që arrin të fitojë e vetme numrin e mandateve për të krijuar qeverinë, që do të garantonte një qeveri shumë stabël. 2-3 javët e para të shtatorit treguan se kishte një stabilitet të padiskutuar, ndërsa sot që flasim, kemi një qeveri krejtësisht të paralizuar, e cila i ka sytë çdo ditë te portalet se çfarë do publikojnë dhe nga një debat që duhet të ishte për qeverisjen, është kthyer në një debat për banda dhe kriminelë, dhe ky për mua është një dështim.

Dhe pse është një produkt i qeverisjes së kaluar, por qeveria duhet të tentonte të qetësonte situatën. Sot nuk besoj se ndokush mendon se kemi të bëjmë me një situatë të qetë. Kryeministri mund të shkojë në vizita zyrtare dhe të kthehet, ministrat mund të shkojnë në zyra, por sytë i kanë nga Prokuroria. Kjo krijon një problem për qeverisjen e vendit. Rama e ka humbur shansin që të qeveriste i qetë. Ju më pyetët për atë që është shprehur zoti Berisha.

Nuk di të them. Por jemi në Shqipëri dhe këtu gjërat merren vesh shumë shpejt dhe ata që i marrin vesh, nuk janë pak. Në këtë vend nuk mund të fshehësh asgjë. Por një gjë është e sigurt, që burimet nuk janë politike. Madje më e befasuar nga këto informacione është politika. Po ju kujtoj videon e Elbasanit, kur nuk reagonte askush kur ne e publikuam, nga asnjë palë, derisa kur reagoi ambasadori amerikan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: