Gazetari Blendi Fevziu ka rrëfyer eksperiencën e tij si pedagog 15 vite më parë, duke treguar për herë të parë se çfarë e detyroi të heqë dorë që ditën e parë.

Ai tha mbrëmë në “Opinion” se kishte pranuar me qejf kërkesën për të dhënë një lëndë në gazetari, por ditën e parë të punës nga 40 studentë që kishte grupi, ai kishte gjetur në klasë vetëm 6 veta. Për këtë arsye, ai kishte vendosur ta braktisë këtë punë, teksa tha se nuk kishte kohë të humbiste gjithë pasditen duke u përgatitur për 6 veta.

“Se s’dua ta përmend, se nuk e kam thënë kurrë. Para rreth 15 vitesh, më thirrën tek gazetaria për të dhënë një lëndë. E mora me qejf dhe thashë po jap një semestër. Shkova pasi nuk lashë gjë pa përmbysur një ditë para, megjithëse isha shumë i zënë, me shumë emocion se mbaj mend pedagogët. Kur shkova, nga 40 e sa studentë që kishte grupi gjeta vetëm 6 veta në klasë. Mora regjistrin, i thashë faleminderit atij që më thirri, unë s’vij më as në sezon e asgjë. Tani të humb unë të gjithë pasditen, të përgatitem për të dhënë një leksion dhe të gjej 6 veta në sallë? E lashë po të them që atë ditë. Që atë ditë, siç e mora regjistrin, shkova dhe e lashë. Kur studenti nuk do të vijë, kisha 40 e sa për të ardhur në klasë dhe vetëm 6 veta, që ishin ulur 2 këtu e 2 atje.”

Më tej, në rrëfimin e patreguar më parë, gazetari tha se pedagogët nuk arrijnë as të motivohen kur shikojnë numra aq të vegjël studentësh në auditore, ndërkohë që pjesa më e madhe nuk paraqitet fare.

“Si do motivohet ai në këtë rast? Këtë e kam rast personal se nuk e kam rrëfyer ndonjëherë. Ika në mes…Një ditë përpara humba minimalisht 2 orë e sa dhe të heq 2 orë kohë për vetëm 6 veta, nuk ka vlerë. Nuk ndjen emocion një herë me 6 veta. E lashë fare, nuk më duhej fare, është humbje. Ti nuk mund të përgatitesh për t’u dhënë 6 vetave kur 40 të tjerë nuk duan fare.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb