TIRANE

Është një ndër personazhet që ka përkrahur protestën e studentëve, ndërsa iu bashkua atyre para Ministrisë së Arsimit. Bëhet fjalë për gazetarin Blendi Fevziu. Ky i fundit, i ftuar në ‘A show’, përballë Adi Krastës foli për protestat që kanë përfshirë vendin, duke i ndarë ato qartazi nga njëra-tjetra.

“Jam ndjerë mirë për protestën e studentëve dhe e mbështes atë, ashtu siç kam mbështetur protestën për teatrin dhe jam shprehur kundër shembjes së godinës së teatrit. Por nuk e mbështes protestën e Astirit. Nuk e mbështes sepse jam kundër ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të tokës dhe kundër shkeljes së ligjit sepse të gjitha këto janë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Ju jeni një qytetar normal dhe jam i sigurt se nuk keni ndërtuar kurrë një as një dritare pa leje. Ndërkohë që dikush tjetër ka guxuar dhe ka zaptuar tokën e dikujt tjetër i ka thënë mos u qas këtu se e kam unë, shkon dhe e legalizon dhe tani t’i duhet të paguash për prishjen dhe dëmshpërblimin e tij. Pra ka një padrejtësi”- tha Fevziu. Megjithatë ai sqaron se është gjithashtu kundër trajtimit me dy standarde të banorëve që kanë zaptuar toka dhe qeveria përmes legalizimeve nuk mund të diskrimonojë një pjesë duke iu prishur shtëpitë e një pjesë tjetër duke i legalizuar shtëpitë e tyre.

Sa i përket parashikimit për ecurinë e protestës së studentëve, Fevziu tha: “Mund të jetë një protestë që mund të marrë me vete jo vetëm bordet akademike dhe ministren arsimit por gjithë klasën politike shqiptare. Ka dy kahe protesta me sa e kam parë unë. Njëra është ajo e tarifave e papërballueshme për studentët dhe tjetra që lidhet me pakënaqësinë e të rinjve si pjesë e pakënaqësinë e të gjithëve në Shqipëri. Pra është sa një lëvizje ekonomike aq dhe një përplasje brezash”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb