FIER- Një 38-vjeçar është arrestuar nga blutë e Fierit, pasi ka tentuar ti japë një efektivi të Rrugores 10 mijë lekë të vjetra. Burime zyrtare pohojnë se është vënë në pranga shtetasi Elton Mezini, banues në Tiranë.

Mezini udhëtonte me mjetin tip “Volkswagen”, me targa AA656HP, në aksin Fier-Lushnjë kur është ndaluar nga policia rrugore. Pas kontrollit të dokumentacionit, 38-vjeçari tentoi ti jepte policit para për të mos marrë asnjë masë ndaj tij, por i janë vendosur prangat.

Menjëherë pas këtij arrestimi, ka reaguar Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili tha se tashmë polici që deri dje merrte ryshfet, arreston ryshfetdhënësin. Sipas Tahirit, janë 20 persona deri më tani që kanë përfunduar në burg për këtë arsye.

“Me rastin sot në Fier, në pak kohë bëhen 20 shtetas të arrestuar nga policia rrugore pse tentojnë ti japin ryshfet policit rrugor. Punonjësi i policisë që deri dje merrte ryshfetin, sot arreston ryshfetdhënësin. Kjo është pjesë e angazhimit tonë për të luftuar korrupsionin dhe për ta bërë Policinë e Shtetit të pastër nga çdo njollë abuzivizmi e korrupsioni. Rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit vijnë vetëm bashkë me qytetarët që denoncojnë kërkesat për ryshfet dhe me policët që arrestojnë qytetaret që ofrojnë ryshfet. Kjo është rruga jonë drejt ‪#‎policineqeduam”, shkruar ministri Tahiri në Facebook.

Katër ditë më parë në Tiranë u ndalua një drejtues tjetër, pasi tentoi ti jepte 20 mijë lekë policit të rrugores.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: