FIER – Banorëve të Zharrëzës në Fier u ka sosur durimi nga tronditjet e tokës dhe kanë dalë sërish sot në protestë. Çarjet që u kanë pësuar shtëpitë nga lëkundjet, që sipas tyre shkaktohen nga shpërthimet e nëndheshme për naftë e gaz të “Bankers Petrolium”, i kanë bërë të dalin në protestë sërish për të disatën herë këtij viti.

Më 30 shtator 2013, Ministri i Industrisë Damian Gjiknuri zhvilloi një takim në zonë me këta banorë dhe u garantoi atyre vendosjen e aparaturave për të zbuluar arsyen dhe shkallën e tronditjeve të tokës, por deri më sot, asnjë rezultat nuk u bë publik. “Unë si Ministër ju garantoj se shumë shpejt,- tha Gjiknuri, – do të nxjerr urdhërin e ngritjes së një grupi teknik. Do të harxhojmë qoftë edhe para të cilat dalin nga tarifat që shteti u merr kompanive të huaja, për të bërë një studim të pavarur. Të mos mbetemi më, që studimet t’i paguajë kompania e cila normalisht është subjekt i këtij hetimi. Le të harxhojë pak lekë shteti por ama t’u japë një përgjigje njerëzve se cila është e vërteta, e vërteta shkencore. Këtu, unë dua të jem neutral, nuk po ngre akuza kot, jam për të garantuar si interesin privat ashtu edhe atë publik. Na duhet të ruhet pasuria e njerëzve, shëndeti i tyre dhe të mbrohet interesi publik.”

Por, pak muaj më parë, po në këtë fshat, banorët u detyruan të evakuoheshin dhe shkolla të mbyllej, pasi ishte hapur një nga rubinetat e gazit dhegjatë natës kishte pasur rrjedhje të shumta, që ndotën ajrin.

Banorët e Zharrëzës kanë kërcënuar se do ta përshkallëzojnë protestën e tyre deri në zgjidhjen e problemit.

ar.sh/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: