FIER

Qindra mbështetës të opozitës janë nisur nga Fieri drejt kryeqytetit për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se protestuesit janë nisur me autobusë dhe mjete private.

Kreu i PD-së Fier Luan Baçi i kërkoi sërish kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen. Sipas tij, ky është paralajmërimi i fundit.

“Sot Rama merr paralajmërimin e fundit. Aksioni opozitar është në vazhdimësi. Rama bën mirë të jap dorëheqjen dhe të lërë presionet dhe shantazhet. Të lërë retorikën e tij të sëmurë burg, burg, burg se nuk i tremb dot qytetarët shqiptarë. Çelja e fushatës dhe mënyra e hapjes së saj ishte një fushatë funerali për Rilindjen e tij. Është mirë të mbledh mendjen e të japë dorëheqjen për të mirën e PS dhe të qytetarëve shqiptarë. Protestat do vijojnë, kjo e sotmja është më e fuqishme. Do të vijojmë deri në rrëzimin e tij dhe nuk ka asnjë shans të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit”, deklaroi Baçi.

Për sa i përket listave të komisionerëve të PD që nuk u pranuan Baçi është shprehur: “E dinim që nuk do i pranonin. Shkuam për të parë sa serioz ishin në punën e tyre. Edhe ata janë të bindur që nuk do të shkojnë dot në 30 qershor. Do të japin dorëheqjen dhe do t’i hapin rrugë një qeverie teknike dhe një qeverie që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb