Në mënyrë befasuese, Barcelona e sheh veten në krizë totale, me ekipin blaugrana që lëshoi edhe kreun e La Liga-s. Në të njëjtën situatë është edhe Robert Lewandowski, i “fikur” prej kohësh. Në 11 javët e para, polaku shënoi 14 gola, por në tetë ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm 2 gola, një rënie drastike që ka një ndikim shumë të madh edhe te numrat e klubit blaugrana. Duke parë rendimentin e Levës, mediat spanjolle, ato pranë klubit të Barcelonës, shkruajnë se Laporta dhe stafi drejtues po mendojnë të afrojnë një sulmues të ri gjatë merkatos së janarit.
Sipas Sport, Barcelona ka piketuar Christopher Nkunku, sulmuesin e Chelsea-t. Në fakt shifrat e francezit nuk joshin shumë tifozët e Barçës pasi në 16 ndeshje këtë sezon ka shënuar vetëm 2 gola.
Në të njëjtën kohë, Barcelona është edhe e detyruar të shes dhe i pari që pritet të sakrifikohet është Eric Garcia. Me Flick në stol, mbrojtësi spanjoll është aktivizuar shumë pak, 500 minuta në La Liga dhe vetëm 11 minuta në Champions.
Për Erik Garcia ka oferta, madje drejtues e klubit i kanë paraqitur në tavolinë një ofertë zyrtare nga ana e Newcastle, por lojtari nuk preferon të largohet duke i kthyer drejtuesve të klubit një “Jo” të prerë.
(BalkanWeb)