Policia e Shtetit ka reaguar për News24 pas alertit që iu shpërnda strukturave këtë mesditë për të fikur të gjitha pajisjet kompjuterike se një hakërim i mundshëm po ndodhte.
“Janë masa parandaluese, nuk ka sulm“, bën të ditur Policia për gazetarin e News24, Igli Çelmeta. Ndërsa në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia thotë se ka marrë masa për forcimin dhe garantimin e sigurisë së sistemeve, ndërsa sqarohet se sistemet e Policisë së Shtetit funksionojnë normalisht.
“Lidhur me publikimet e ndryshme në media për një sulm kibernetik, Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se në mënyrë të vazhdueshme, në bazë të një pune profesionale parandaluese, merr masa për forcimin e garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimin e sistemeve në përdorim. Sistemet në përdorim nga Policia e Shtetit vazhdojnë funksionimin e tyre normalisht“, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Kjo nuk është hera e parë kur Policia e Shtetit bie pre e sulmeve, apo dhe institucione të tjera, ndërsa precedenti i rëndë është ai me sistemin TIMS.
Gjithashtu, 3 vitet e fundit Shqipëria është përballur me sulme të vazhdueshme kibernetike duke nxjerrë jashtë funksionit disa herë portalet qeveritare dhe për rrjedhojë të dhënat sensitive të qytetarëve janë marrë dhe bërë publike.
Pas këtyre sulmeve dyshohet se fshihen hakera iranianë.
(BalkanWeb)