Nga: ZONJA VJOLLCA
800 gr fileto pule
250 gr domate qershi
10 gjethe borziloku
200 ml krem pana
150 gr krem djathi
125 gr mocarela
Vaj ulliri
Kripë, piper i zi
Oriz / makarona

Lajmë dhe thajmë mirë filetot e pulës, më pas i marinojmë ato me kripë dhe piper të zi. Vendosim një tigan me vaj dhe i skuqim filetot e pulës nga të dy anët derisa të marrin ngjyrë. Ndërkohë presim domatet qershi në gjysma. Në një tavë vendosim filetot e skuqura dhe shpërndajmë gjysmat e domateve nëpër tavë.
Në një tenxhere salce ngrohim panën dhe pasi të ngrohet shtojmë kremin e djathit, fare pak kripë dhe piper të zi, i trazojmë dhe sapo të flluskojë shtojmë borzilokun të grirë imët. Vazhdojmë trazimin dhe për 1 minutë. E shpërndajmë salcën me djath dhe borzilok mbi mishin e pulës dhe gjysmat e domateve. Presim në kubikë mocarelën dhe mbulojmë copat e filetos së pulës. E vendosim më pas tavën në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 30 minuta. Më pas e shërbejmë të ngrohtë shoqëruar me pak oriz ose makarona të thjeshta.

(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb