Nga Zonja Katerina
Përbërësit

1 kg spinaq ose pazi, 1 kokërr qepë, 4 fileto pule, ½ gotë verë, 2 lgj vaj ulliri


Beshameli:
2 lgj gjalpë, 2 lgj miell, 2 gota qumësht, 1 kokërr vezë, 100 gr djathë të verdhë, Kripë, piper i bardhë, arrë moskat


Përgatitja

Spinaqin e larë dhe të grirë e vendosim në një tenxhere, e mbulojmë me kapak dhe e lemë të ulë vëllimin.


Në një tigan hedhim pak vaj, spërkasim filetot me kripë dhe piper dhe i vendosim të marrin ngjyrë nga të dyja anët. Më pas i shuajmë filetot me pak verë dhe i lemë derisa të avullojë alkooli.

Ndërkohë përgatisim beshamelin. Në një tenxhere hedhim gjalpin dhe sapo të shkrijë shtojmë miellin dhe e kaurdisim derisa të ndryshojë pak ngjyrë. Shtojmë më pas qumështin dhe sapo masa të bëhet kremoze shtojmë vezën, djathin e verdhë të grirë në rende, kripë, piper të bardhë dhe arrë moskat.

Largojmë spinaqin nga tenxherja. Hedhim në tenxhere një lugë vaj ulliri dhe kaurdisim një qepë të grirë hollë. Shtojmë më pas spinaqin, e trazojmë që të lidhet me qepën dhe më pas e vendosim spinaqin në një tavë të thellë. Vendosim mbi spinaq filetot e pulës dhe beshamelin. E spërkasim me pak djathë të verdhë të grirë në rende dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 25-30 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: