Tajfuni Trami, i njohur në nivel lokal si stuhia tropikale Kristine, ka shkaktuar zhvendosjen e 5.7 milionë njerëzve në Filipine, derisa numri i të vdekurve është në të paktën 85, raporton Anadolu.
Sipas Këshillit Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut të Fatkeqësive, mbi 5.7 milionë individë ose më shumë se 1.4 milionë familje në gjithsej 8.895 fshatra janë prekur nga stuhia.
Rreth 91.189 familje janë zhvendosur në strehimore në qendrat e evakuimit pasi në 158 qytete dhe komuna është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme.
Numri i të vdekurve gjithashtu është rritur në 85 në mbarë vendin, ndërsa 26 të tjerë akoma mbeten të zhdukur.
Operacionet e kërkim-shpëtimit ende vazhdojnë në zona të ndryshme të vendit.
Stuhia tropikale preku gjithashtu pjesë të 520 rrugëve dhe 84 urave, ndërkohë dëmtoi 27.640 shtëpi në rajone të ndryshme.
Edhe pse vendi po rimëkëmbet nga një stuhi, autoritetet lokale sot thanë se stuhia e re tropikale Leon po lëviz drejt perëndimit me 30 kilometra në orë mbi Detin Filipine dhe pritet të intensifikohet gradualisht në 24 orët e ardhshme.
Sipas Administratës së Shërbimeve Atmosferike, Gjeofizike dhe Astronomike të Filipineve, kjo stuhi gjatë ditës së nesërme mund të kthehet në një stuhi të fortë tropikale dhe të martën në një tajfun.