Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, mori zyrtarisht në dorëzim flamurin e organizimit të edicionit të 22-të të Kupës së Botës, që do të mbahet në vitin 2022 në Katar. Në këtë ceremoni që u mbajt në Kremlin morën pjesë presidenti rus Vladimir Putin, dhe presidenti i Fifa-s Gianni Infantino.
Pas këtij dorëzimi, nga sot fillon numërimi mbrapsht për Botërorin “Qatar 2022”. Ëndrra e organizimit të Kupës Botërore në një vend arab tashmë konsiderihet një realitet.

Prej disa javësh, në kryeqytetin rus zhvillohet një aktivitet i madh i Komitetit Katarian për Projekte dhe Trashëgimi (që është dhe përgjegjësi për përgatitjet e Kupës së Botës Qatar 2022, ku vendasit dhe sportdashësit nga e gjithë bora u njohën me kulturën dhe traditat e Katarit, si dhe me promovimin Botërorit 2022 dhe stadiumeve më të rëndësishme ku do të organizohen ndeshjet e botërorit të ardhshëm.

Presidenti i Fifa-s Gianni Infantino, gjatë takimit me përfaqësuesit e Komitetit Katarian tha se Shteti i Katarit bashkëpunon ngushtë me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit për organizimin e Fifa World Cup 2022, duke theksuar se marrëdhëniet në mes dy palëve u rritën ndjeshëm gjatë monitorimit të përbashkët të World Cup Russia 2018.

Në këtë kontekst, faqja zyrtare e Fifa-s në Twitter citoi Gianni Infantinon të shprehet se: “Sipas parashikimeve, Katari do të organizojë një turne unik, ku do të mirëpriten të gjithë dhe do të kënaqë të gjitha familjet”.

Katari pritet të organizojë për herë të parë më 2022-shin një botëror futbolli në botën arabe dhe në mbarë Lindjen e Mesme, dhe vazhdon të punojë me ritme të larta për përgatitjet e duhura për këtë ngjarje sportive historike.

Ndërkohë, nuk munguan as shkrimet në mediat më prestigjoze të botës rreth “FIFA World Cup Qatar 2022”. Gazetari sportiv i amerikanes “USA Today” Martin Rogers p.sh, theksoi në një artikull në portalin e kësaj medieje se tifozët e futbollit që dëshirojnë të shohin Botërorin nga fushat e stadiumeve dhe jo nga ekranet e televizorit, duhet të shënojnë që tani turneun e “Qatar 2022” në kalendarin e tyre.
Rogers i ftoi tifozët që dëshirojnë të marrin pjesë në botërorin e ardhshëm, të fillojnë të sigurojnë shpenzimet dhe të jenë gati sapo të hapen sportelet e biletave të këtij turneu.

Ai theksoi se Kupa e Botës “Qatar 2022” me shumë gjasë do të jetë turneu më i favorshëm dhe i më veçantë për tifozët që prej shumë kohësh.
E ndërsa përmendi disa kritika që janë përfolur rreth “Qatar 2022”, duke iu referuar temperaturave të larta dhe mungesës së birrës (apo pijeve të tjera alkolike), gazetari i mirënjohur renditi disa nga faktorët që e bëjnë këtë turne një ëndërr të vërtetë për tifozët.

Ai tha se Katari do të jetë vendi më i vogël në histori që organizon këtë event botëror, por hapësira e vogël e vendit e bën atë ideal për çdo tifoz nëse merren në konsideratë kostot dhe koha. Distanca mes dy stadiumeve më të largëta në Katar nuk i kalon 144 km, kurse distanca mes stadiumit të Kaliningradit dhe Ekaterinburgut në Rusi 2018 ishte rreth 1,437 km, përveç linjës kontinentale ndarëse.

“Kjo do të thotë se tifozët në Katar nuk do të përballen me problemet tipike dhe faktorët gjeografikë. Ata mund të ndjekin çdo ndeshje çdo ditë apo edhe të marrin pjesë në më shumë se në një ndeshje në ditë. Kjo gjë nuk ishte e mundur për tifozët në Rusi, përveç atyre me potenciale të jashtëzakonshme apo atyre me llogari bankare pa limit” tha ai.

“Atmosfera në Katar mund të jetë e ngjashme me atë të Lojrave Olimpike, ku shumica e të pranishmëve do të mblidhen në një vend të vetëm. Përthithja e të gjithë tifozëve në kryeqytetin e Katarit, mund të bëhet me anë të anijeve gjigande të konvertuara në hotele apo vende shëtitjeje. Mundësi të tjera janë ngritja e qyteteve të reja në Katar dhe tendat në shkretëtirat përreth, duke ofruar eksperieca unike, ndjenja entuziaste të aventurës, si dhe luksin e plotë”, shkruan Martin Rogers në “USA Today”.
Sa i përket temperaturës, turneu “Qatar 2022” do të organizohet në dimër, ku atmosfera do të jetë e ngrohtë e nën flladin e erës.

Ai shtoi eventi më i madh i futbollit “Qatar 2022” do të jetë një kombinim i mrekullueshëm i haresë, humanitetit, përsosmërisë sportive dhe ndjekjes së aktiviteteve më të mira argëtuese.

Burimi: Al Jazeera, USA Today

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: