Udhëheqësit e G7-ës janë mbledhur në Japoni, në qytetin bregdetar Ise Shima, për takimin e përvitshëm të grupit. Në qendër takimit janë tema si ekonomia, terrorizmi dhe siguria detare. Në prag të takimit udhëheqësit e shtatë vendeve më të pasura të botës dhe ata të Bashkimit Europian, vizituan një qendër turistike të veçantë Japonisë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe i priti Presidentin Obama dhe udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermnaisë, Italisë dhe Kanadasë në vendin e shenjtë “Ise Grand Shrine”, të besimit fetar Shinto, të cilit i përket ai vetë. Udhëheqësit botërorë shkuan në vendin e shenjtë, duke kaluar nëpër një urë të gjatë, të shoqëruar nga një prift me veshje të bardhë.

Në takimin dy-ditor udhëheqësit e G7-ës kanë në plan të diskutojnë për çështje, si fuqizimi i ekonomisë së ngadalësuar botërore, lufta kundër terrorizmit dhe siguria detare. Kjo e fundit ka të bëjë dhe është një sinjal për Kinën, lidhur me ekspansionin territorial të saj në Detin e Kinës Jugore, me burime të pasura natyrore. Pekini e ka rritur ekspansionin territorial, duke mos marrë parasysh pretendime të ngjashme të fqinjëve të Azi Paqësorit.

Pas përfundimit të takimit të premten, Persidenti Obama do të shkojë në Hiroshima, ku u vranë dhjetra mijëra japonezë kur një avion luftarak amerikan hodhi bombën e parë atomike të botës në vitin 1945, për t’i dhënë fund me shpejtësi Luftës së Dytë Botërore. /VOA/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: